Të nderuar lexues,
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa qytetarë në Prishtinë, të cilët i ka pyetur se kë fajësojnë për ngërçin në Kuvendin e Kosovës.
Me këtë video, po e përmbyllim mbulimin e zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës gjatë së mërkurës.
Faleminderit që na ndoqët!
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet.
Përpjekje e re, rezultat i vjetër: Dështimi i pestë në Kuvend
As në votimin e tretë, Albulena Haxhiu nga LVV-ja nuk arriti që të zgjidhet kryeparlamentare gjatë vazhdimit të seancës konstituive të mërkurën.
Si të dilet nga ngërçi në Kuvend?
Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, tha gjatë kësaj jave për Radion Evropa e Lirë se në aspektin politik, konstituimi i Kuvendit gjendet në një bllokadë, për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka rritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme nga deputetët, për ta miratuar propozimin e saj.
“Kur nuk i ke numrat, duket kompromis dhe nuk mund të imponosh kandidatë [për kryetar të Kuvendit]”, thekson Krasniqi.
Ai shton se, marrë parasysh refuzimin kategorik të propozimit të LVV-së nga tri partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, partia fituese do të duhej të lëshonte pe.
“Do të duhej që Lëvizja Vetëvendosje të bënte përpjekje për të dialoguar me partitë politike, në mënyrë që të ketë një kandidat të përshtatshëm - së paku për shumicën e deputetëve - në mënyrë që ta zhbllokojë situatën”, thotë Krasniqi.
Mendim të ngjashëm ka edhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thekson se partitë politike duhet ta gjejnë një kompromis, i cili do ta zhbllokonte ngërçin, në të cilin ka ngecur konstituimi i Kuvendit.
Kompromisi, sipas tij, nënkupton një marrëveshje që përfshin propozimet në pako, për kryetarin e Kuvendit dhe për pesë nënkryetarët, nga partitë shqiptare dhe të komuniteteve pakicë joserbe dhe serbe.
Mungesa e marrëveshjeje eventuale ndërmjet partive politike që do ta zgjidhte situatën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do ta thellonte edhe më tej ngërçin institucional.
Të këtij mendimi janë Krasniqi dhe Baraliu.
Siç thonë ata, nuk ka ndonjë kufizim ligjor që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë pas secilës ndërprerje, “deri në pafundësi”.
“Nëse LVV-ja nuk propozon emër, atëherë kjo mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të imponuar kandidat dhe, aq më pak, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, thotë Krasniqi.
Por, të drejtën për t’iu drejtuar për çështje të caktuara Gjykatës Kushtetuese e kanë vetëm presidentja e Kosovës, avokati i popullit dhe Kuvendi i Kosovës.