Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin që ka të bëjë me hetimet mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore.
Bislimi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, konfirmoi Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ai u intervistua mëngjesin e së mërkurës për rreth një orë e gjysmë dhe më pas Bislimi tha se atij prokurorët nuk i parashtruan asnjë pyetje "që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari".
"Po ashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa pasur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian", shkroi Bislimi në Facebook.
Po ashtu, Bislimi e akuzoi Prokurorinë se me këtë intervistim ka dashur që të bëjë bujë mediale.
"Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet", tha ai.
Ndërkaq, nga Prokuroria Speciale thanë se hetimet lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e produkteve nënshtazore janë në fazën fillestare, prandaj nuk mund të japin tani për tani detaje lidhur me intervistimin e Bislimit.
"Prokuroria Speciale e Kosovës, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret", thanë nga ky institucion.
Për këtë rast, për disa orë më 27 maj ishte intervistuar edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha – që të dy në cilësinë e të dyshuarit.
Peci dhe Hoxha u intervistuan pasi autoritetet paraprakisht po më 27 maj kryen bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencinë e Veterinarisë, si dhe në lokacionin e kompanisë përfituese.
Për cilën fabrikë bëhet fjalë?
Në Parkun Industrial në Drenas, dhjetorin e vitit 2019 kishte përfunduar ndërtimi i fabrikës, ku parashihej të përpunoheshin dhe asgjësoheshin nënproduktet shtazore.
Por, funksionalizimi i fabrikës – ndërtimi i së cilës kushtoi 7.7 milionë euro – nisi më 2024, kur u hap thirrja për kompanitë që të aplikonin për marrjen në shfrytëzim të saj dhe për të nisur punën në grumbullimin dhe kategorizimin e nënprodukteve shtazore.
U raportua se kompania kosovare LIP KS & IT SH.P.K. u përzgjodh për ta funksionalizuar fabrikën, me afat operimi për 20 vjet, përkatësisht deri më 2044. U tha se kjo kompani ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) vetëm 5 ditë pas thirrjes për aplikim.
Kësisoj dyshohet se nuk u përmbushën kriteret që fituesi i kontratës të kishte përvojë 12 deri në 15-vjeçare në përpunimin e nënprodukteve shtazore, dhe të dëshmonte se në tre vjetët e fundit kishte përpunuar 20 mijë tonë të nënprodukteve shtazore.
Një ditë para kryerjes së bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se ministri në detyrë Peci, pa ankand publik, ia ka dhënë me qira pronën për fabrikën për mbetjet shtazore një kompanie për 20 vjet.
PDK-ja tha se Ministria e Bujqësisë ka shkelur Ligjin për pronën publike, që tha se parasheh që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe jo më shumë se 15 vjet, përveç në rastet kur merre vendimi në Kuvendin e Kosovës.