Ndërlidhjet

Belgjika synon marrëveshje me Kosovën dhe Shqipërinë për burgje


Burgu i Gjilanit që do t'i jepet me qira Danimarkës.
Burgu i Gjilanit që do t'i jepet me qira Danimarkës.

Ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe ajo e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë treditore në Kosovë dhe Shqipëri, që do të përqendrohet në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në njërin prej këtyre shteteve.

Një marrëveshje për dhënien me qira të qelive Kosova ka me Danimarkën.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë në detyrë të Drejtësisë për mundësinë e një marrëveshjeje për burgjet edhe me Belgjikën dhe është ende në pritje të përgjigjes.

Kjo vizitë e dy ministreve belge u tha se do të përqendrohet në fuqizimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, rimarrjen e aseteve kriminale jashtë vendit dhe trajtimin e mbipopullit në burgjet belge dhe migrimit.

Ushtruesi i detyrës të ministrit të Drejtësisë në Kosovë, Blerim Sallahu, është takuar me ministret belge, me të cilat tha se diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve me integritet të lartë profesional.

“Në takim u zotuam për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndihmë juridike në çështjet penale ndërmjet dy vendeve tona, si dhe diskutuam çështje të tjera me interes për të dy vendet. Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sundimit të ligjit dhe integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës”, tha Sallahu përmes një postimi në Facebook.

Megjithatë, në njoftimin për këtë takim nuk u përmend çështja e mundësisë së bashkëpunimit sa i përket burgjeve.

Më herët gjatë ditës, DeMorgen raportoi se ministret në Kosovë do të zhvillojnë bisedime për nënshkrimin e një traktati për ndihmë juridike, i cili, sipas Belgjikës do të synojë të forcojë në mënyrë strukturore bashkëpunimin për çështjet penale.

Ndërkaq, gjatë vizitës në Tiranë, Van Bossuyt dhe Verlinden do të insistojnë që Shqipëria të pranojë rikthimin e shtetasve të saj që mbahen në burgjet belge. Këtu përfshihen 307 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 253 nuk kanë leje qëndrimi.

“Ata që janë të dënuar këtu dhe nuk kanë leje qëndrimi mund ta vuajnë dënimin në vendin e tyre të origjinës, atëherë kjo do të nënkuptojë një ekzekutim të drejtë të dënimit, ashtu edhe rritje të konsiderueshme të efikasitetit për institucionet tona të burgjeve”, tha Verlinden.

Gjatë kësaj vizite, sipas Verlinden, do të diskutohet për një memorandum mirëkuptimi për asetet, në mënyrë që pasuritë e konfiskuara në rastet penale në Kosovë dhe Shqipëri, mbi bazën e informacionit nga hetimet në Belgjikë, pjesërisht të mund të kalojnë në arkën e shtetit belg.

Ministrja Verlinden tha, sipas mediave në Belgjikë, se ka bashkëpunim pozitiv me Kosovën dhe Shqipërinë.

Sipas Belgjikës, Kosova është vend transit për trafikim me qenie njerëzore dhe kontrabandë të armëve dhe shpesh shfaqet në rastet gjyqësore belge si vend për pastrim të parave.

Ndërkaq, Shqipëria thuhet se është partnere strategjike në luftën kundër trafikimit të drogës dhe ka një prani të fuqishme të organizatave kriminale shqiptare në portin e Antverpit.

“Ballkani Perëndimor aktualisht është rajoni kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua të mbështetemi në besim të ndërsjellë i cili është ndërtuar përmes bashkëpunimit intensiv në vitet e fundit”, tha ministrja Verlinden.

Kosova veçse ka një marrëveshje për dhënien me qira të qelive me Danimarkën. Të burgosurit e parë nga ky shtet do të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prill të vitit 2027.

Marrëveshja dhjetëvjeçare parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës eratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG