Ndërlidhjet

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë në Malishevë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokurorët i kanë kërkuar të premten gjykatës në Gjakovë të urdhërojë një muaj paraburgim për burrin e dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës një ditë më parë.

Kërkesa për paraburgim vjen pasi Prokuroria në Gjakova ka nisur hetimet ndaj burrit të dyshuar, i cili u arrestua mëngjesin e së premtes.

Burri, i identifikuar nga autoritetet vetëm si A.I., dyshohet se vrau dy vëllezërit e gruas së vet jashtë dyerve të oborrit të tyre në fshatin Golluboc të Malishevës, në pjesën qendrore të Kosovës.

Prokuroria në Gjakovë tha në një komunikatë se i dyshuari kishte shkuar te shtëpia e miqve për ta marrë bashkëshorten, e cila ndodhej atje në rastin e varrimit të babait, kur një fjalosje mes tyre për shkak të dyshimeve se ai kishte ushtruar dhunë ndaj saj, çoi në të shtëna fatale me armë zjarri.

Që të dy vëllezërit vdiqën në vend, ndërsa i dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes, para se të kapej nga policia një ditë më vonë.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar në vendngjarje dy armë që dyshohet se janë përdorur në këtë rast.

Më herët të premten, policia tha se i dyshuari u arrestua mëngjesin e sotëm në fshatin Pllaqicë.

“Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, u tha në njoftim.

Naser Syla, drejtori i Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se rreth orës 08:30 pacienti, i lindur më 1984, është pranuar në klinikë me plagë nga arma e zjarrit.

“Deri më tani janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme në qendrën emergjente. Pas ekzaminimeve dhe konsultave adekuate, pacienti është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale për trajtim të mëtejmë”, tha Syla për mediat.

Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se A.I. kishte pasur të kaluar penale. Ai ishte dërguar në paraburgim në prill të këtij viti dhe ndaj tij atëbotë ishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje dhe kanosje.

Vrasja e tyre vjen pak muaj pasi në pjesë të ndryshme të vendit ndodhën pesë vrasje vetëm në muajin gusht.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë bërë thirrje disa herë që shteti të bëjë më shumë për konfiskimit të armëve të jashtëligjshme, pasi argumentojnë se ato mund të gjenden lehtë në tregun e zi.

Ata, po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e incidenteve të armatosura.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG