Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se është arrestuar një i dyshuar për shpërthimin ndaj veturës së ushtruesit të detyrës të drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari.
Vetura e Hajdarit u dëmtua më 30 prill, teksa gjendej e parkuar në oborrin e QKUK-së.
Prokuroria tha se i dyshuari, i identifikuar me inicialet B.K. u arrestua në Podujevë dhe i njëjti dyshohet për tri vepra penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, zjarrvënie dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Operacioni policor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit është duke vazhduar në mënyrë të intensifikuar në disa lokacione të ndryshme për mbledhjen e provave për hetimin e të gjitha rrethanave të rastit. Organet e rendit mbeten të përkushtuar për të zbuluar motivet dhe zbardhjen e rastit në tërësi”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Ngjarja, që kishte kishte ndodhur paraditen e 30 prillit, sipas Policisë kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës atë ditë deklaruan se dëmtimi i veturës private ndodhi në kohën kur po bëheshin përgatitjet e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të këtij institucioni.