Ndërlidhjet

Ambasada gjermane bën thirrje për përmbajtje nga sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës


Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje të martën aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqësorin në përgjithësi, dy ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kritikoi gjykatën më të lartë për vendimet e saj të fundit.

Në një njoftim për media, Ambasada gjermane tha se pavarësia e gjyqësorit është gur themel i sundimit të ligjit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësorit në tërësi, si dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale”, tha ajo.

Reagimi vjen dy ditë pasi Kurti, i cili është lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, kritikuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti kritikoi Kushtetuesen për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, tha Kurti.

Kurti po fliste për vendimin më të fundit të Kushtetueses, e cila javën e kaluar vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë - që do të jetë në fuqi më 30 shtator - në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.

Të hënën, Gjykata Kushtetuese tha se ndihet e shqetësuar me “deklarimet e pamatura” të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë.

Përmes një reagimi, Kushtetuesja tha se pavarësia dhe paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.

Po ashtu të hënën, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, bëri thirrje që të respektohet pavarësia e gjykatësve “nga të gjithë, në çdo kohë”, duke theksuar se gjyqësori i pavarur është gur themel i sundimit të ligjit.

“Ndërhyrja e padrejtë përmes sulmeve personale që shënjestrojnë gjykatësit dhe prokurorët është gjithmonë e papranueshme”, shkroi ai në X.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG