Ndërlidhjet

Protestat kundër Qeverisë në Serbi shoqërohen me tensione dhe incidente


Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi
Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:17 0:00

Përplasje në protestat antiqeveritare në Serbi

Protestat kundër Qeverisë serbe me moton "Serbi, zgjohu" janë mbajtur në dhjetëra qytete të Serbisë dhe në disa lokacione në Beograd. Në kryeqytetin serb dhe në Novi Sad ka pasur përplasje dhe incidente mes policisë dhe demonstruesve, ku janë plagosur si policë, ashtu edhe protestues.

Në Beograd, një kordon i xhandarmërisë është vendosur për të parandaluar përplasjet mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, disa qytetarë janë parë me maska në fytyrë. Dy grupet kanë shkëmbyer ofendime dhe kanë hedhur gjësende ndaj njëri-tjetrit, ndërsa policia është vendosur mes tyre. Një protestues u arrestua pas një përleshjeje pranë Kuvendit të Serbisë. Pranë ndërtesës së Qeverisë është hedhur gaz lotsjellës dhe është dëgjuar topi zanor, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë.

Tymi nga gazi lotsjellës i hedhur në Novi Beograd, më 13 gusht 2025.
Tymi nga gazi lotsjellës i hedhur në Novi Beograd, më 13 gusht 2025.

Edhe në protestën në Novi Beograd ka pasur përplasje të demonstruesve me policinë, raportoi televizioni N1. Pamjet treguan protestuesit duke hedhur sende të ndryshme drejt policisë. Gazetarët e REL-it raportuan se edhe aty ka qenë e pranishme policia dhe se ka pasur momente tensioni.

Në Novi Sad, para zyrave të SNS-së, janë shënuar incidente të reja. Sipas gazetarëve të REL-it, nga drejtimi i selisë së partisë janë hedhur mjete piroteknike drejt pjesëmarrësve të protestës, ndërsa pas përplasjes, disa dritare të ndërtesës janë thyer. Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se një polic është plagosur gjatë një “sulmi të protestuesve” ndaj zyrave të SNS-së në rrugën Strazhillovska.

Përplasje në protestë pranë selisë së Partisë Përparimtare Serbe në Novi Sad.
Përplasje në protestë pranë selisë së Partisë Përparimtare Serbe në Novi Sad.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se gjatë demonstratave janë lënduar shumë qytetarë, si dhe më shumë se gjashtë policë.

“Shtetasit që po shkonin drejt selisë së Partisë Përparimtare Serbe, bllokuesit, demonstruesit, kanë sulmuar edhe qytetarë, edhe policinë, pa asnjë arsye,” tha Daçiq.

Sipas tij, mbrëmjen e sotme ka ndodhur një “sulm ndaj shtetit”.

“Policia sonte ka shpëtuar jetë – si të qytetarëve, ashtu edhe të vetë policëve. Dhuna ka qenë më e madhe në Novi Sad dhe në Beograd”, shtoi ai.

Daçiq paralajmëroi se të gjithë ata që kanë sulmuar policinë do të ndëshkohen dhe arrestohen brenda 48 orëve.

Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se i ka dhënë urdhër policisë të identifikojë të gjitha personat që kanë sulmuar pjesëtarët e saj gjatë “tubimeve të paregjistruara të qytetarëve në territorin e kryeqytetit”.

Novi Sad. 13 gusht, 2025.
Novi Sad. 13 gusht, 2025.

Protestat janë paralajmëruar në rrjetet sociale nga studentët, të cilët prej muajsh bllokojnë institucionet e arsimit të lartë në Serbi. Shkak për to u bënë ngjarjet e 12 gushtit në Vojvodinë, në qytetet Vërbas dhe Baçka Pallanka, ku pati përplasje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Qeverisë serbe.

Prej muajsh, para Parlamentit në Beograd, mbështetës të pushtetit kanë ngritur tenda dhe bllokojnë një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, duke u vetëquajtur “studentë që duan të mësojnë”. Sipas tyre, kjo është përgjigjja ndaj protestave masive kundër Qeverisë në të gjithë Serbinë.

Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.


    Qëndroni me ne

    XS
    SM
    MD
    LG