Ministria e Shëndetësisë e Kosovës sërish ka rekomanduar institucionet private dhe publike që të zbatojnë masa për mbrojtje e punëtorëve, pasi vendi ditëve të fundit po përballet me temperatura të larta.
Masat për mbrojtjen e punëtorëve, të bazuara në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, MSH-ja rekomandoi që të zbatohen nga 11 deri më 15 gusht, kur temperaturat në Kosovë parashihen të jenë mbi 30 gradë Celsius.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, u tha në njoftimin e MSH-së.
Sipas rekomandimit të ministrisë:
- duhet të shmanget puna në ambient të jashtëm në periudhën kohore 11:00-16:00,
- gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00,
- personat me sëmundje kronike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë,
- duhet të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia,
- duhet të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura dhe
- duhet të vendosen pika freskimi në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për ta.
Rekomandime të njëjta, MSH-ja lëshoi dy herë gjatë muajit korrik, kur vendi u përball me temperatura që arritën deri në 40 gradë Celsius.
Më 25 korrik, në Kosovë u regjistruan temperatura rekord, me Klinën që regjistroi temperaturën më të lartë prej 42.5 gradë Celsius.