Ndërlidhjet

Trump urdhëron ripozicionimin e nëndetëseve bërthamore për shkak të deklaratave të Medvedevit


Presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.
Presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi nga arkivi.

Në një paralajmërim për Rusinë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 1 gusht se ka urdhëruar ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane, “bazuar në deklaratat shumë provokuese” të bëra nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

Trump shkroi në Truth Social se bazuar në deklaratat “shumë provokuese” të bëra nga Medvedevi, ai ka urdhëruar “që dy nëndetëset bërthamore të pozicionohen në rajonet e përshtatshme, në rast se këto deklarata të pamenduara dhe nxitëse janë më tepër se fjalë”.

Presidenti amerikan shtoi se “fjalët kanë shumë rëndësi dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, dhe shpresoj që kjo të mos jetë një nga ato raste”.

Njoftimi i Trumpit për ripozicionimin e nëndetëseve – që kryejnë patrullime të rregullta në rajonet ku tensionet janë të larta – vjen në një moment delikat të raporteve të administratës së Trumpit me Moskën.

Trump ka thënë se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, po shkon në Rusi për të shtyrë Moskën që të pranojë një armëpushim në luftën me Ukrainën dhe ka kërcënuar me sanksione të reja ekonomike nëse nuk arrihen përparime.

Ai shkurtoi afatin prej 50 ditësh në 10 ditë – që palët të ndalin luftën – dhe ky afat pritet të skadojë javën e ardhshme.

Postimi për ripozicionimin e nëndetëses erdhi pasi Trump, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, kishte shkruar se Medvedev është “ish-president i dështuar i Rusisë” dhe e kishte paralajmëruar që të kishte “kujdes me fjalët”.

Disa orë më vonë, Medvedev iu përgjigj, duke shkruar se “Rusia ka të drejtë në gjithçka dhe do të vazhdojë rrugën e saj”.

Medvedev ishte president i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012, në periudhën kur Putini nuk mund të kandidonte për një mandat të dytë radhazi. Ai u tërhoq për t’i hapur rrugë Putinit që të kandidonte përsëri.

Tani, Medvedev është zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Rusisë, të cilin e udhëheq Putini.

Medvedev njihet për deklaratat e tij provokuese dhe nxitëse që nga fillimi i luftës në Ukrainë në 2022.

Ai shpesh ka bërë kërcënime bërthamore dhe ka fyer udhëheqësit perëndimorë përmes postimeve në rrjetet sociale. Disa vëzhgues kanë argumentuar se me këtë retorikë, Medvedev po përpiqet të fitojë pikë politike pranë Putinit dhe ushtarakëve rusë.

Trump dhe Medvedev janë përplasur edhe në të kaluarën përmes postimeve në rrjetet sociale.

Më 15 korrik, pasi Trump njoftoi për planet për të furnizuar Ukrainën me më shumë armë përmes aleatëve të NATO-s dhe kërcënoi me tarifa shtesë ndaj Moskës, Medvedev shkroi në rrjetet sociale: “Trump lëshoi një ultimatum teatral ndaj Kremlinit. Bota u trondit, duke pritur pasojat. Evropa u zhgënjye. Rusia nuk u shqetësua”.

Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, ai shkroi: “Trump po luan lojën e ultimatumeve me Rusinë: 50 ditë ose 10, duke shtuar: “Ai duhet të ketë parasysh dy gjëra. Nën një, Rusia nuk është Izraeli e as Irani. Dhe, nën dy, çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij”.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG