Ndërlidhjet

Kriza institucionale: Kurti zotohet për angazhim, partitë kërkojnë votim të hapur


Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, më 2 korrik 2025.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, më 2 korrik 2025.

Derisa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u zotua se do të angazhohet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, udhëheqësit e partive të tjera të mëdha parlamentare kërkuan sërish votim të hapur për kryeparlamentar, pas takimeve ndaras që patën me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën.

Osmani i priti Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.

Kosova është pa institucione të reja edhe katër muaj pas mbajtës së zgjedhjeve parlamentare, pasi deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin të një marrëveshjeje politike, duke qenë se anjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.

Presidenca tha se liderët e partive paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk dha më shumë hollësi.

Pas takimit me Osmanin, Kurti - i cili gjithashtu është kryeministër në detyrë i Kosovës - tha se do të bëjë "çmos" për konstituimin e Kuvendit në frymën e bashkëpunimit, për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë së re.

Ai nuk tregoi nëse bëri ndonjë propozim të ri, apo ndonjë hollësi tjetër nga biseda me Osmanin.

“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse... Zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Mbase në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë përparim”, tha Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Besoj se duhet t’u japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim se cili është progresi”, shtoi ai para gazetarëve.

Pas Kurtit, Osmani priti kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se e konfirmoi “gatishmërinë” e partisë së tij për të luajtur rolin e saj në gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, “sidomos tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Presidentja Vjosa Osmani në takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Presidentja Vjosa Osmani në takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Përkundër plot 40 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Krasniqi nuk tregoi hollësi nga takimi duke folur për gazetarë pasi u largua nga presidenca, por tha se shpreson se këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes.

“Shpresojmë që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të qartësojnë nëse ka apo jo një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, theksoi Krasniqi.

Ai tregoi se ia përsëriti presidencës qëndrimin e njohur të partisë së tij se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese “e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit”.

PDK-j, sipas tij, vazhdon të kërkojë që “të kthehemi te pika e rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit të kuvendit përmes votimit të hapur dhe të sillet një propozim i një kandidati apo kandidateje që mund t’i marrë votat”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i përsëriti qëndrimet e njohura të partisë së tij dhe bëri thirrje për votim të hapur për kryeparlamentar.

“Kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë për çështjen e votimit. Para së gjithash, ai është i qartë sa i përket zgjidhjes së problemit, pra i takon partisë së parë, deputetit Kurti, të propozojë dhe të krijojë shumicën parlamentare”, tha ai.

Megjithatë, Abdixhiku tregoi se LDK nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj në lidhje me votimin, duke thënë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

“Partia e parë duhet të propozojë dhe sigurojë shumicën për kandidatin e vet. LDK-ja nuk ka çështje të emrave lidhur me kandidatin, LDK-ja ka qëndrim parimor dhe me plot zemër, me plot bindje dëshiron të votojë kundër kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi ai.

Presidentja Osmani në takim me Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Presidentja Osmani në takim me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Ai tha se pret që zgjidhja të bëhet përmes “insistimit për shumicë politike” dhe përmes respektimit të procedurave kushtetuese, të cilat “tashmë janë edhe rregulla ligjore”.

“Le të presim takimet e tjera, ftojmë për konsensus, ftojmë për unitet, aq shumë e duam unitetin saqë kemi dalë me praponim për qeveri të unitetit”, tha ai.

Sipas Presidencës, Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim.

Me një vendim të lëshuar javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.

Që nga aktgjykimi janë mbajtur edhe dy seanca në Kuvend, por pa rezultat.

Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Por Haxhiu, për disa herë me radhë, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë pozitë.

Vetëvendosje insiston në votim të feshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Në fund, Osmani e priti në takim edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se presidentja ka shqetësim se koha po mbaron shpejt për konstituimin e Kuvendit dhe se ajo u “interesua për qëndrimet tona dhe për mënyrën se si ne mendojmë se Kosova mund të dalë nga kjo bllokadë”.

“Kemi kërkuar të kthehet praktika e votimit që të votojmë dhe nëse kthehet praktika e votimit shpresojmë të votojmë. Shpresojmë se do ta gjejmë një rrugë si të kthehemi të votimi i hapur”, tha Haradinaj.

Presidentja Osmani në takim me Ramush Haradinajn e AAK-së.
Presidentja Osmani në takim me Ramush Haradinajn e AAK-së.

Arifi: Pa koalicione e pa kompromise, nuk do të lëvizë asgjë

Politologu nga Prishtina, Dritëro Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se këto takime janë pozitive, por rezultati, sipas tij, pritet të jetë i dobët.

“Kjo, për shkak se partitë janë fragmentalizuar në qëndrimet e veta dhe nuk po lëvizin fare nga pika A në pikën B. Mbetet të shihet nëse janë të gatshme për ndonjë kompromis apo jo. Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe, të cilën presidentja nuk ka fuqi që t’ua imponojë partive politike apo koalicioneve. Po vërehet se pa koalicione e pa kompromise, nuk do të lëvizë asgjë. E, gjuha e partive politike nuk është e përafërt me atë që ne po flasim”, tha Arifi.

Sipas tij, presidentja është vonuar pak me këto takime, pasi Kosova po hyn në muajin e pestë pa institucione.

Ai shtoi se nuk dihet se çka do të ndodhë as pas 26 korrikut, kur skadon afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Sipas Arifit, vendi është duke shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe çështja është vetëm kur do të bien dakord partitë për datën e tyre - para apo pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Intervista e plotë:

Politologu Arifi: Takimet te presidentja pozitive, por pa efekt
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:07:21 0:00

Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha më 30 qershor se ajo pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të zbatojnë aktgjykimin e Kushtetueses dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit prej 30 ditësh.

“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.

Ekspertët e çështjeve ligjore-kushtetuese thonë se aktgjykimi i Kushtetueses duket se nuk solli zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë, ndaj, sipas tyre, zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, ose me ndërhyrjen e presidentes.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG