Ndërlidhjet

Dodik thërret për bisedime mbi "Dejtonin 2.0"


Kuvendi Kombëtar i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Kuvendi Kombëtar i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Kuvendi i Republikës Sërpska e ka miratuar të mërkurën një ligj që ndalon financimin e partive politike nga buxheti i entitetit dhe ai i komunave lokale. Ky vendim, sipas opozitës dhe organizatave të shoqërisë civile, bie ndesh me Ligjin shtetëror për financimin e partive politike dhe me Kodin Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës.

Entiteti serb e justifikon ligjin si shprehje të vullnetit qytetar që aktivitetet politike të mos financohen nga paratë publike.

Por, opozita paralajmëron se me këtë akt po minohet rendi juridik dhe po hapet rruga për korrupsion politik. Deputetë të Partisë Demokratike Serbe (SDS) e quajtën këtë ligj përpjekje për “zhdukjen” e opozitës. Ognjen Bodiroga nga kjo parti tha se ligji bie ndesh me Kushtetutën e Republikës Sërpska (RS) dhe me Ligjin shtetëror për financimin e partive politike.

“Sjellja juaj nuk dallon nga ajo e Christian Schmidt, të cilin e konsideroni të padrejtë dhe kolonial. Tani po bëni të njëjtën gjë me partitë që nuk janë në pushtet. Ju mund të kompensoni të ardhurat nga kompanitë tuaja të lidhura me regjimin. Për ju, kjo është vetëm një pikë në oqean”, tha Bodiroga.

Ky propozim vjen gati një muaj pas vendimit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, më 24 prill, për të ndalur pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet për dy parti politike: Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) të Millorad Dodikut, dhe Partinë e Bashkuar Serbe, të udhëhequr nga Nenad Stevandiq.

Schmidt e arsyetoi vendimin si pjesë e përpjekjeve për t’iu kundërvënë “sulmeve flagrante të koalicionit qeverisës në RS, të udhëhequr nga SNSD dhe Partia e Bashkuar Serbe, ndaj parimeve themelore të Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues e juridik të Bosnjë e Hercegovinës.”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë për Progres Demokratik (PDP), Igor Crnadak, e cilësoi ligjin si “katastrofal për Republikën Sërpska” dhe në kundërshtim me ligjin zgjedhor të Bosnjës.

“Ky është një sulm direkt ndaj lirive dhe një goditje për zhvillimin demokratik të RS-së”, deklaroi ai.

Nga SNSD-ja u shmangën lidhjet direkte me vendimin e Schmidtit, duke u thirrur në “qëndrimin e shumicës së opinionit publik në RS”.

Deputeti Srdan Mazalica deklaroi se qytetarët nuk duhet të financojnë aktivitetet politike përmes buxheteve publike, duke pasur parasysh shumën e madhe që ndahen çdo vit për partitë.

Transparency International në Bosnje e Hercegovinë paralajmëroi më 20 maj se ligji do të krijojë “një sistem paralel” dhe do të krijojë “hapësirë të madhe për korrupsion”. Sipas tyre, lejimi i donacioneve deri në 50.000 euro nga kompanitë private bie ndesh me legjislacionin shtetëror.

Ligji i ri nuk ndalon as donacionet nga firmat që punojnë me shtetin, siç parashikohet në nivelin shtetëror.

“Kjo do të lejojë transferimin e parasë publike në arkat partiake përmes bizneseve të privilegjuara, ndërsa dëmton partitë që nuk kontrollojnë burimet publike. Gjithashtu, minohet rendi institucional dhe krijohet pasiguri juridike, pasi Komisioni Zgjedhor i RS-së merr kompetenca që ligjërisht i takojnë Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës”, thuhet në deklaratën e Transparency.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar SNSD-ja ka përfituar mbi 2 milionë marka (rreth 1 milion euro) nga buxhetet publike në të gjitha nivelet, ndërsa Ujedinjena Srpska mbi 395 mijë marka (rreth 200 mijë euro).

Me vendimin e tij, përfaqësuesi i lartë Schmidt urdhëroi bankat që të transferojnë këto fonde në llogarinë e Bankës Qendrore të Bosnjës dhe ta njoftojnë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë.

Para diskutimit për ligjin, para deputetëve foli edhe presidenti i entitetit, Dodik, në pikën kushtuar 30-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, që më 1995 i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Dodik, i sanksionuar ndërkombëtarisht për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe i akuzuar për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës e Hercegovinës, në fjalimin e tij përsëriti thirrjen për dialog ndërmjet dy entiteteve të Bosnjës – Republikës Sërpska dhe Federatës – për, siç tha ai, rikthimin e Bosnjës në “kornizën fillestare të Dejtonit”.

“Rezultati i atyre bisedimeve do të ishte një Dejton dy pikë zero. Më lejoni të shpjegoj çfarë do të thotë kjo, dhe po aq e rëndësishme, çfarë nuk do të thotë: nuk do të thotë shkëputje, nuk do të thotë përshkallëzim, nuk do të thotë dorëzim nga paqja. Do të thotë rikthim te marrëveshja që solli një rend të ri kushtetues dhe politik në Bosnje e Hercevoginë, dhe që solli paqe”, tha Dodik.

Ai shtoi se Marrëveshja e Dejtonit është thelbësore për mbijetesën e RS-së, dhe se ajo ka funksionuar derisa, sipas tij, nuk nisi të ndryshohej me forcë.

Dodik mohoi sërish legjitimitetin e Christian Schmidtit si përfaqësues i lartë, duke thënë se emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas Dodikut, kriza “kushtetuese dhe juridike” në Bosnje e Hercegovinë mund të zgjidhet vetëm nëse anulohen të gjitha vendimet që ka ndërmarrë Schmidt.

Dodik, së bashku me Nenad Stevandiqin dhe kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, akuzohen për shkelje të rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, bazuar në ndryshimet e Kodit Penal që u imponuan nga Schmidt.

Të tre janë në kërkim, pasi nuk janë paraqitur për t’u marrë në pyetje nga organet gjyqësore.

Në fund të shkurtit, Dodik u dënua në shkallë të parë me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione politike për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit të lartë dhe nënshkrimit të ligjeve të shfuqizuara nga Schmidt.

Çfarë parasheh projektligji për financimin e partive në RS?

Organizata joqeveritare Transparency International në Bosnje njoftoi më 20 maj se projektligji, i futur në rend dite me procedurë të përshpejtuar nga shumica parlamentare, do të krijojë një “sistem paralel dhe do të hapë hapësirë të madhe për korrupsion”.

Sipas saj, projektligji lejon që kompanitë private të dhurojnë deri në 50.000 euro për partitë, çka bie ndesh me ligjin shtetëror për financimin e partive politike.

Ndryshe nga ligji shtetëror, projektligji i RS-së nuk ndalon donacionet nga kompani që punojnë me shtetin.

“Kjo do të lejojë transferimin e fondeve publike në arkën e partive përmes ndërmarrjeve të privilegjuara, dhe do të dëmtojë partitë që nuk kanë qasje në burimet shtetërore,” paralajmëron Transparency.

Po ashtu, kjo do të dëmtojë rendin institucional, duke futur një kompetencë të re për Komisionin Zgjedhor të RS-së, ndonëse sipas ligjit, monitorimi i financimit të partive i takon Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës.

Sipas raporteve financiare, SNSD-ja vitin e kaluar mori mbi dy milionë marka [rreth një milion euro] nga buxhetet në të gjitha nivelet , ndërsa Partia e Bashkuar Serbe mori mbi 395 mijë marka [rreth 200 mijë euro].

Me vendim të Schmidtit, bankave u është kërkuar që t’i transferojnë këto fonde nga llogaritë e partive në Bankën Qendrore të Bosnje e Hercegovinës, dhe ta njoftojnë për këtë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë.

Çfarë tjetër është në rend dite?

Në rend dite është edhe emërimi i ushtruesit të detyrës së auditorit të përgjithshëm dhe zëvendësit të tij.

Mandati i auditorit ka përfunduar në prill, dhe ligji parasheh që dy muaj para skadimit të nisin procedurat për emërimin e një të riu.

Ligji nuk njeh institutin e ushtruesit të detyrës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG