Pesëmbëdhjetë ushtarë të lënduar të KFOR-it kthehen në Itali
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur më 5 qershor se 15 ushtarë italianë të lënduar janë kthyer në shtëpi për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit të KFOR-it, 11 prej këtyre ushtarëve të lënduar i kishin pësuar lëndimet gjatë përleshjeve më 29 maj në Zvecan, ndërsa tetë të tjerë u referuan nga kampi Villagio Italia në Pejë për trajtime mjekësore.
“Sot, 15 nga 19 trupat u kthyen në Itali dhe u transferuan në spitalin ushtarak italian ‘Celio’ për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Të tjerët do të shërohen në infermierinë mjekësore të KFOR-it në Shtabin e KFOR-it dhe janë planifikuar që së shpejti të kthehen në detyrat e tyre”, thuhen në njoftimin e KFOR-it.
Serbët vazhdojnë protestat derisa peshohet opsioni i zgjedhjeve
Protestat e qytetarëve serbë kundër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës, hynë të hënën në javën e dytë. Derisa zgjedhjet e reja lokale diskutohen si mundësi për shtensionimin e situatës, edhe Qeveria e Kosovës, edhe serbët lokalë kanë fillimisht kushte për mbajtjen e tyre.
Përderisa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve, Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë -kanë vendosur disa kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Çfarë mendoni ju se do të ndikonte në uljen e tensioneve në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq? Jepeni mendimin tuaj duke u përgjigjur në anketën e Radios Evropa e Lirë:
Çfarë ka ndodhur sot në veri?
- Serbët lokalë janë mbledhur edhe të hënën në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
- Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kanë përmendur disa kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna.
- Bashkimi Evropian ka thënë se është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur të krijohen kushtet.
- Në orët e paradites, pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë hequr telat gjemborë afër ndërtesës komunale në Zveçan. Telat janë vendosur pas përleshjeve të 29 majit mes KFOR-ut dhe serbëve lokalë.
- NATO ka konfirmuar mbërritjen e trupave shtesë në Kosovë, përfshirë 500 trupat nga Turqia. Ndërkohë, 15 ushtarë të lënduar italianë janë kthyer në Itali për shërim.
- Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Zveçan është sulmuar një veturë policore. Nga ky sulm nuk është raportuar për të lënduar.
- Gjatë ditës, Kurti është takuar me zyrtarë diplomatikë të Francës dhe Gjermanisë, që janë në Kosovë, për të biseduar rreth nevojës për ulje të tensioneve.
- Në orën 20:00, Kurti pret të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak në ndërtesën e Qeverisë.