Ndërlidhjet

Dhjetë ditë fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, partitë politike do të kenë dhjetë ditë në dispozicion për të bërë fushatë.

Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ-ja vendosi që fushata për zgjedhjet të nisë më 3 shkurt dhe të përfundojë më 12 shkurt, 2021.

Po ashtu, në këtë mbledhje u vendos që aplikimi i subjekteve dhe kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme, të nisë më 8 janar dhe të përfundojë më 16 janar.

Ndërkaq, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotime do të mbahet më 1 shkurt.

Të mërkurën, pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpalli zgjedhjet e parakohshme për 14 shkurt. Osmani, po ashtu, përmes një dekreti shpërndau edhe Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor tha se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, për shkak se nuk kishte pasur votat e nevojshme – prej 61 – sa kërkohen për t’u zgjedhur një qeveri. Kjo pasi, për këtë qeveri kishte votuar Etem Arifi, vota e të cilit u shpall e pavlefshme sepse ndaj tij kishte një aktgjykim të formës së prerë për dënim prej më shumë se një viti burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG