Ndërlidhjet

Komshiq dhe Xhaferoviq refuzuan takimin me Lavrovin


Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, gjatë vizitës në Sarajevë, 14 dhjetor 2020.
Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, gjatë vizitës në Sarajevë, 14 dhjetor 2020.

Anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, kanë refuzuar takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, në Sarajevë.

Në një konferencë për media, të martën, më 15 dhjetor, të dy këta anëtarë të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, kanë sqaruar se shkak për këtë ishte mungesa e flamurit shtetëror të Bosnje-Hercegovinës në takimin me Lavrovin, si dhe mbështetja që ai i ka dhënë Rezolutës për neutralitet ushtarak, të cilën e ka miratuar Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe.

“Këtë e përjetojmë si një lloj poshtërimi dhe madje mohimi të institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, të vendit në të cilin ai erdhi për një vizitë zyrtare”, ka thënë Komshiq.

Ai ka theksuar që porositë që dha Lavrovi, pas arritjes së tij për vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, të hënën, më 14 dhjetor, nuk janë mesazhe të tij personale, por të shtetit të cilin e përfaqëson.

"Deklarata e zotërisë Lavrov, në të cilën ai mirëpret Rezolutën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, e cila flet për të ashtuquajturin ‘neutralitet ushtarak’ në rast të anëtarësimit në një asociacion ushtarak, gjithashtu tregon që një ministër rus, i cili është i informuar në mënyrë të përkryer dhe me përvojë ,shmang faktin se vetëm autoritetet e Bosnje-Hercegovinës mund të marrin një vendim të tillë. Do të thotë që Bosnje-Hercegovina ka marrë vendime në lidhje me të ardhmen e saj në integrimin euro-atlantik, ndërkaq në vendime mori pjesë edhe Dodik, me të cilin ai u takua”, ka deklaruar Komshiq.

Ai ka shtuar se në bazë të këtyre “dy shembujve”, mendon që “fatkeqësisht, Lavrov tregoi mosrespekt për institucionet dhe sistemin kushtetues dhe shtetin e Bosnjë e Hercegovinës”.

Lavrov, një ditë më parë, dërgoi një sërë mesazhesh politike dhe ndër të tjera, ai tha se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë duhej të ishte mbyllur shumë kohë më parë, sepse Bosnje-Hercegovina, siç theksoi ai, shumë kohë më parë është bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ky protektorat i huaj, i cili përfaqëson Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, është plotësisht i tejkaluar. Ekzistenca e OHR-së tregon mosrespektim për popujt e Bosnje-Hercegovinës dhe sovranitetin e këtij vendi. Çdo përpjekje për të përmbysur Marrëveshjet e Dejtonit mund të ketë pasoja të paparashikueshme. Ka qenë shumë i vështirë ndërtimi i një ekuilibri të brishtë dhe vetëm pa njërin komponent, mund të rrezikohet i gjithë stabiliteti i përgjithshëm”, ka thënë Lavrov.

Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq., ka deklaruar deklaroi se Federata Ruse është një shtet i madh, një fuqi botërore, se Bosnje- Hercegovina nuk është e tillë, por është një shtet shumë i rëndësishëm në botë.

"Ne kemi krenarinë tonë dhe duam të themi atë që mendojmë për momentin. Rusia e respekton Marrëveshjen e paqes së Dejtonit, por deklaratat e dhëna dje në një konferencë shtypi nga ministri Lavrov, na thonë diçka tjetër”, ka thënë Shefik Xhaferoviq, në konferencën për media.

Ai ka theksuar se respektimi i Marrëveshjes së paqes së Dejtonit, do të thotë t’i respektosh të gjitha anekset e saj.

"Gjëja e parë që theksohet në marrëveshje, është shteti i Bosnje-Hercegovinës, vazhdimësia e tij, institucionet, flamuri dhe stema e tij. Kjo duhet të respektohet, por që nuk u respektua dje. Të respektosh Marrëveshjen e Dejtonit do të thotë të respektosh të gjitha 11 anekset”, ka theksuar Xhaferoviq.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, është takuar të martën, më 14 dhjetor, me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në Sarajevë, ka njoftuar më herët presidenca.

Më pas, Lavrov është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës, Biser Turkoviq. Ndërkaq është planifikuar edhe një takim i delegacioneve të ministrive të Bosnje-Hercegovinës dhe të Rusisë.

Lavrov të martën do të udhëtojë edhe në Beograd për vizitë zyrtare, ku pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG