Ndërlidhjet

Kërkohen masa më të rrepta për rastet e përdhunimit seksual në Kosovë 


Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, reagoi lidhur me dy raste të përdhunimit seksual që u raportuan ditëve të fundit.

Ministrja Haxhiu tha përmes një deklarate në Facebook se është e shqetësuar për rastet e raportuara nga qyteti i Mitrovicës.

“U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t'i trajtojnë me seriozitet. Masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt, sepse kjo është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale”, tha Haxhiu.

Sipas saj, dhunimi seksual është vepër penale dhe rastet e tilla duhet të marrin dënimin sipas legjislacionit në fuqi.

Institucionet e drejtësisë, gjatë muajve mars dhe prill, kanë raportuar për rritje të shifrave të dhunës në familje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Haxhiu, janë bërë pjesë e një fushate, përmes së cilës u është bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet kur ata janë viktima të dhunës në familje.

Që nga 13 marsi kur është shfaqur rasti i parë me koronavirus në Kosovë, autoritetet kanë vendosur kufizime në lirinë e lëvizjes së qytetarëve, të cilat, sipas institucioneve, kanë pasur ndikim në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Më 15 prill, Policia e Kosovës ka njoftuar se në muajin janar janë evidentuar 161 raste të dhunës në familje, në muajin shkurt 151 raste dhe në muajin mars 169 raste.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG