Ndërlidhjet

Fondi i Kursimeve siguron se pensionet s'do të ndikohen nga rënia e investimeve


Ilustrim
Ilustrim

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka siguruar kontribuesit e moshës se ka marrë masa që pensionet e vitit 2020, të mos ndikohen nga rënia e investimeve, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Përmes një komunikate për media, Fondi ka thënë se pensionet janë të mbrojtura ndaj çfarëdo lëvizjeje negative gjatë këtij viti.

Fondi ka shfaqur shpresën se rënia aktuale e investimeve në të “është e përkohshme” dhe se “do të rikuperohet gjatë pjesës tjetër të këtij viti, eventualisht vitin në vijim”.

Pandemia e koronavirusit ka prekur investimet në gjithë botën.

Më 1 prill, është bërë e ditur se tregjet e aksioneve në botë kanë pësuar humbje historike në tre muajt e parë të këtij viti.

Indeksi Dow Jones, një tregues kyç i tregut të aksioneve në SHBA, ka rënë për 23 për qind – çfarë ka qenë rënia më e madhe në një tremujor që nga viti 1987.

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës është institucion publik i pavarur dhe jo për profit, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ky institucion është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribues kursen për pension në një llogari personale.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG