Ndërlidhjet

Haradinaj i reagon Mogherinit për dialogun dhe taksën


Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që të mos ndërlidh vazhdimin e dialogun me taksën doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj ka thënë se “dialogu ka dalë nga binarët” para se të vendosej taksa doganore në nëntorin e vitit të kaluar.

“Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi i propozimit për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese – këto janë arsyet. Dialogut mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”, ka shkruar Haradinaj.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”.

Pasi të ndodhë kjo, Mogherini përsëriti se do të thërrasë menjëherë rundin e ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.​

Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që prej se Kosova vendosi taksën doganore prej 100 për qind.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog, pa u hequr taksa. Por, Haradinaj po këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në Bruksel.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG