Zyrtarët iranianë thanë të dielën se pas numërimit të 90 për qind të fletëvotimeve të zgjedhjeve të së premtes në Iran, aleatët reformistë të presidentit Hassan Rohani, i kanë fituar të 30 vendet në Parlament, të parapara për kryeqytetin Teheran.
Parlamenti i Iranit i ka 290 deputetë.
Derisa po afrohet numërimi i të gjitha fletëvotimeve, rezultatet tregojnë se reformistët po fitojnë kundër rivalëve të linjës së fortë edhe në zgjedhjet për Asamblenë e Ekspertëve, që e ka për detyrë ta emërojë liderin suprem të ardhshëm të Iranit.
Zgjedhjet e mbajtura ishin të parat në Iran, prej se u tërhoqën sanksionet ndërkombëtare, pas arritjes së marrëveshjes atomike të Qeverisë së presidentit Rohani me fuqitë botërore.
Përfitimet e reformistëve u arritën pavarësisht diskualifikimit të mijëra kandidatëve nga pjesëtarët e linjës së fortë në Këshillin Mbikëqyrës të Iranit.
Presidenti Rohani dhe aleati i tij, ish-presidenti Akbar Hashemi Rafsanjani, e kanë fituar shumicën e votave në Teheran, edhe në garën për Asamblenë e Ekspertëve.
Sipas rezultateve të publikuara nga Ministria e Brendshme e Iranit, e cila i organizon zgjedhjet, Rafsanjani është i pari, ndërsa Hassan Rohani radhitet i dyti.
Kleriku i linjës së fortë, Ahmad Jannati, që e kryeson Këshillin Mbikëqyrës, u plasua në vendin e 11-të.
Reformistët patën kërkuar që votuesit ta mbështesin koalicionin e kandidatëve pro-reformistë dhe atyre relativisht të moderuar, për ta parandaluar rizgjedhjen e klerikut Jannati dhe dy klerikëve të tjerë ultra-konservatorë, Mohammad Yazidi dhe Mohammad Taghi Mesbah Yazidi, në Asamblenë e Ekspertëve.
Ajatollah Mesbah Yazidi, është i 15-ti me radhë dhe mund ta humbë pjesëmarrjen në Asamble. Megjithatë, rezultatet ende nuk janë finalizuar.
Në deklaratën e dhënë pas kumtimit të rezultateve të para, presidenti iranian, Hassan Rohani, tha se Qeveria e tij do të bashkëpunojw me secilin që është zgjedhur.
“Gara ka marrë fund dhe është koha për hapjen e kapitullit të ri në zhvillimin ekonomik të Iranit, të bazuar në kapacitetet vendëse dhe mundësitë ndërkombëtare”, theksoi Rohani në deklaratën që është transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA.
Nga ana tjetër, ish-presidenti Hashemi Rafsanjani, bëri thirrje për unitet dhe bashkëpunim ndërmjet grupeve të ndryshme.
“Gara ka përfunduar dhe ka arritur faza e unitetit”, tha Rafsanjani.
Ish-ligjvënësi reformist iranian, që tash jeton në Francë, Ali Mazrouei, tha se përbërja e ardhshme e Parlamentit të Iranit me gjasë do të jetë “e ndryshme” nga ajo e tashme, që dominohej nga pjesëtarët e linjës së fortë.
“Mendoj se Parlamenti do të jetë relativisht i moderuar”, tha Mazrouei, gjatë një bisede telefonike për Radion Evropa e Lirë, programi për Iranin.
Rrjedhimisht, ai konsideron se “Qeveria mund të ketë më tepër mbështetje në Parlament”.
Megjithatë, fletëvotimet nga zgjedhjet e 26 shkurtit ende po numërohen.
Parashikimet e hershme të kryera nga agjencitë gjysmëzyrtare të lajmeve, Fars dhe Mehr, indikojnë se të moderuarit dhe të pavarurit të ndërlidhur me ta, po udhëheqin në disa qytete, derisa në qytetet e tjera, duket se konservatorët janë më të suksesshëm.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, ILNA, ka raportuar se pesë femra përfundimisht janë zgjedhur në Parlamentin e Iranit. Numri i tyre mund të rritet, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Asambleja e Ekspertëve, gjatë mandatit të ardhshëm tetëvjeçar, mund ta emërojë pasardhësin e Liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili është 76-vjeçar dhe këtë post e mban prej vitit 1989.