Ndërlidhjet

Ndërpritet puna e mediave në shenjë proteste


Ilustrim
Ilustrim
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit në organizim të Sindikatës së Gazetarëve dhe punonjësve tjerë mediatikë, u protestua me errësimin e ueb-faqeve të portaleve informative në shenjë pakënaqësie kundër projektligjit për mediat që po përgatitet nga Ministria e Shoqërisë Informatike të Maqedonisë.

Kryetarja e sindikatës, Tamara Çausidis, tha se thirrja për një formë të këtillë të protestës është mbështetur nga më shumë media të internetit në vend.

Ajo tha se në Maqedoni nga dita në ditë po rritet shkelja e lirisë së mediave nga ana e pushtetit dhe se kjo shkelje do të jetë më e fuqishme në rast se kalon propozimi i hartuar, me të cilin do të rritet ndikimi dhe presioni i politikës ndaj mediave.

“Ne po ballafaqohemi me vendosjen e censurës me ligj, pavarësisht faktit se në nenin 16, të Kushtetutës, në mënyrë decidive thuhet se censura është e ndaluar. Propozim-ligji për mediat është hartuar pas shpinës së shoqatave të medieve”.

“Ka më shumë se një vit që apelonim të përfshiheshim në debat, të shohim se çfarë po përgatitet. Por, për fat të keq, kjo thirrje e jona u injorua dhe tani nga pushteti reagojnë se ne po tentojmë të bllokojmë miratimin e ligjit. Ne këtë e vlerësojmë si kompliment, pasi është e vërtetë se ne po kundërshtojmë miratimin e një ligji të tillë prej më shumë se 100 nenesh që kufizon lirinë e mediave”, tha Çausidis.

Ndryshe, Maqedonia, sipas raportit më të ri të “Freedom House”, sërish ka shënuar rënie sa i përket lirisë e mediave. Nga vendi i 196, ajo tani pozicionohet në vendin e 120, pra me një rënie për 5 vendesh ajo tani ndodhet e fundit në rajon dhe gjendet përkrah shteteve si Kongo, Liberia dhe Fixhi.

Në raport thuhet se në Maqedoni, situata politike është shumë e polarizuar, gjë që paraqet një tregues të ri shqetësues për gjendjen e demokracisë në vend.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, tha se për gjendjen e këtillë të gjithë janë përgjegjës, por përgjegjësia kryesore, sipas tij, bie mbi Qeverinë, e cila me çdo kusht synon vendosjen e kontrollit të plotë mbi punën e mediave.

“Të gjithë jemi përgjegjës për këtë situatë, por përgjegjësia më e madhe për këtë situatë të keqe të medias dhe të lirisë së shprehjes në Maqedoni, bie mbi Qeverinë. Përdor pushtetin për të vënë kontroll mbi mediat dhe për të kufizuar hapësirën publike ku do të mund të kritikohen politikat e saj”, u shpreh Selmani.

Përveç nga organizata “Freedom House”, Maqedonia kritika të ashpra për gjendjen në media mori edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në raport kërkohet nga Qeveria që të vendos dialogun e mirëfilltë me gazetarët, si dhe të zbardhë në tërësi rastin me dëbimin me dhunë të gazetarëve nga Kuvendi më 24 dhjetor të vitit të kaluar kur me dhunë nga salla e Kuvendit u dëbuan deputetët e opozitës.

Shoqata e gazetarëve tha se dialogu që kishte nisur kohë më parë me Qeverinë për ç'kriminalizimin e shpifjes dhe të ofendimit, mund të vazhdojë vetëm nëse kjo e fundit sanksionon autorët e dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve të Kuvend.

Nga ana tjetër, Qeveria ka bërë të ditur se propozim-ligji për mediat nuk ka për qëllim vendosjen e censurës, por rregullimin e punës së mediave.

Ligji, sipas Qeverisë, nuk do të miratohet pa kaluar nëpër një debat të gjerë publik dhe vetëm pas përfshirjes së të gjitha vërejtjeve, ai do të miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG