Ndërlidhjet

S'ka informacione për hetime


Nga përleshjet e 28 nëntorit në Jagnjenicë...
Nga përleshjet e 28 nëntorit në Jagnjenicë...
Më shumë se dy javë pas incidenteve në Jarinë dhe Jagnjenicë, ku pas disa përleshjeve mes banorëve lokalë serbë dhe forcave të KFOR-it - që bënin përpjekje për largimin e barrikadave - u plagosën me armë zjarri dy dhe u lënduan dhjetëra ushtarë të misionit paqeruajtës, EULEX-i nuk jep informacione lidhur me hetimet.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, ka bërë të ditur se dy serbë, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij, janë identifikuar si organizatorë dhe liderë të akteve të fundit të dhunës, që janë kryer kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it te barrikadat në Jarinë dhe Jagnjenicë.

Erhard Drevs
Erhard Drevs
“Sulmet e dhunshme në Jarinë janë organizuar dhe udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq, përderisa konflikti në Jagnjenicë është udhëhequr nga vëllai i tij”, ka deklaruar komandanti i KFOR-it, duke shtuar se “ekzistojnë video-incizime që i mbështesin këto pohime, të cilat i janë dërguar edhe EULEX-it”.

Por, zyrtarët e këtij të fundit nuk kanë dashur të komentojnë asgjë lidhur me hetimet sa i përket plagosjes së ushtarëve të KFOR-it në veri.

Zëdhënësi i misionit evropian, Blerim Krasniqi, ka thënë se vazhdon mbledhja e provave.

“Ajo që mund të them është se misioni, në përgjithësi, nuk komenton për hetimet, veçanërisht kur kemi të bëjmë me mbledhjen e dëshmive. Arsyeja përse nuk i bëjmë këto komente, është për t’i mbrojtur vetë hetimet. Megjithatë, duhet të thuhet se KFOR-i dhe EULEX-i vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë”, ka thënë Krasniqi.


​Deklaratave të komandantit Drevs, përfaqësuesit e KFOR-it kanë thënë se nuk kanë çfarë t’iu shtojnë.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a posedon misioni informacione shtesë për incidentin në fjalë, njëri nga zëdhënësit e KFOR-it, Frank Martin, është shprehur:

“Jo, nuk duam të komentojmë. Për informacione të tjera duhet të kontaktoni EULEX-in, sepse EULEX-i përfundimisht merret me këto gjëra”.

Për mbledhjen e provave nga terreni, lidhur me incidentet në veri, Policia e Kosovës është duke e ndihmuar EULEX-in.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, ka konfirmuar se autoritetet policore janë në bashkëpunim të ngushtë me komponentët policorë dhe hetuesit e EULEX-it.

“Policia e Kosovës është gjithsesi pjesë e mbledhjes së të gjitha provave materiale ose çfarëdolloj informacioni që do të shërbente për ndjekjen penale të personave të dyshuar. Policia e Kosovës, në kuadër të veprimeve të veta të hulumtimit, sigurisht që ka mbledhur prova të mjaftueshme", ka thënë Hoti.

Ndaj deklaratave të komandantit të KFOR-it, Erhard Drevs, që akuzojnë Veselinoviqin për orkestrim të dhunës në veri, ka reaguar sot edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se as Zyra e Prokurorit e as EULEX-i nuk i kanë dhënë Policisë së Serbisë asnjë informacion në lidhje me pjesëmarrjen e dyshuar të tij në dhunën që është zhvilluar në Jarinë dhe Jagnjenicë.

Sipas tij, serbët kanë të drejtë të shprehin kërkesat e tyre politike, “ashtu siç kanë pasur të drejtë edhe shqiptarët", ndërsa deklaratat e komunitetit ndërkombëtar se qendra e krimit është në veri të Kosovës, “nuk janë të vërteta”.
Qendra e krimit është në Prishtinë dhe Shqipëri. Mafia shqiptare është më e forta në botë.

“Kjo është gënjeshtër. Qendra e krimit është në Prishtinë dhe Shqipëri. Mafia shqiptare është më e forta në botë. Këto nuk janë fjalët e mia, por fjalë të shërbimeve ruse, gjermane dhe amerikane. Ndërsa, ne flasim për Zvonko Veselinoviqin... Nuk mund të besoj se në çfarë niveli kemi ardhur”, ka thënë Daçiq.

Të hënën, komandanti i forcave paqeruajtëse ka deklaruar se dy granata janë hedhur në drejtim të ushtarëve të KFOR-it. Dy prej tyre, përfshirë edhe komandantin e njësisë, janë ende në spital.

Që nga vera e sivjetme, serbët kanë ngritur barrikadat nëpër rrugët në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG