Ndërlidhjet

Qeveria në kolaps?


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një konference për media, ka hedhur kritika në drejtim të Presidencës dhe Qeverisë. Mirëpo, zyrtarë nga Qeveria i kanë hedhur poshtë deklaratat e tilla.





Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar krerët më të lartë të vendit, presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, se nuk po mund ta luftojnë korrupsionin në institucione.

Haradinaj ka deklaruar se nëse presidenti dhe kryeministri nuk marrin masa për ta luftuar korrupsionin, atëherë, sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Do të ishte shumë me interes që kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu ta kenë parasysh se ata janë shkaktarët që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje dhe u bie atyre ta nxjerrin Kosovën nga kjo gjendje”.

“Nëse nuk janë të zottë ta identifikojnë korrupsionin në institucione dhe të ndahen nga ai, kuptohet, përgjegjësia është edhe e tyre, atëherë është më mirë që vendi të shkojë në zgjedhje”,
ka thënë Haradinaj.

Qeveria e Kosovës
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, i ka hedhur poshtë deklaratat e tilla. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë masa dhe po bëjnë të gjitha veprimet e duhura për ta luftuar korrupsionin.

“Kjo është një demagogji boshe, një retorikë e zbrazët politike, meqenëse veprimet anti-korrupsion janë të njohura dhe në këtë drejtim unë do të përmendja vetëm edhe krijimin e task- forcës speciale anti-korrupsion brenda prokurorisë”,
është kundërpërgjigjur Krasniqi.

Haradinaj ka thënë se partia e tij i mirëpret zgjedhjet e përgjithshme në këtë vit. Sipas Haradinajt, parimet për ndërtimin e shtetit demokratik janë thyer me zgjatjen e mandateve nga ana e udhëheqësve aktualë të vendit.

“Mandati i Qeverisë dhe institucioneve është i kontestuar. Kemi thënë disa herë se ky mandat nuk është kushtetues, sepse buron nga korniza kushtetuese dhe bie në kundërshtim me Pakon e Ahtisarit”.

“Sot kemi të bëjmë me gjendje të rëndë në vend, me një kancer që e ka kapluar Kosovën – korrupsioni, dhe zgjedhjet është mirë të mbahen për ta ndalur këtë gjendje, jo për Aleancën, por ne i mirëpresim zgjedhjet këtë vit”
, është shprehur Haradinaj.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Krasniqi, kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë vit, e ka konsideruar si absurde dhe jo të sinqertë.

“...sepse edhe po të mbahen zgjedhjet, ata e dinë se do të jenë humbës edhe më shumë sesa në zgjedhjet e fundit dhe fituesi do të jetë i qartë - do të jenë partitë që udhëheqin koalicionin aktual”,
ka theksuar Krasniqi.

Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë gjithashtu se rikonfigurimi i paralajmëruar tash e një kohë nga ana e kryeministrit Thaçi, nuk është diç tjetër, pos një përpjekje për të mbijetuar Qeverinë, e jo qeverisjen.

“Është për keqardhje se nuk kanë një vizion ose më shumë do të thosha kreativitet për ta nxjerrë vendin nga gjendja që është. Ne mendojmë se vendi mund të nxirret nga gjendja ekzistuese”.

“Ndryshe, pozicioni i kryeministrit Thaçi, kuptohet, është i vështirë, por ai vetë e ka sjellë veten në atë pozicion dhe nuk u takon qytetarëve të vendit ta paguajnë çmimin që ai të nxirret nga pozicioni, të cilin e ka sjellë me qeverisjen e tij
”, ka thënë Haradinaj.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se opozita, me konferenca të përditshme po mundohet të konkurrojë me punët e shumta që është duke i bërë Qeveria për vendin.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG