Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë kanë vlerësime të ndryshme lidhur me njoftimet se Bashkimi Evropian është i pakënaqur me procesin e përmbushjes së reformave, për shkak se vendi më tepër është i përqendruar në zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë.
“Është e vërtetë se nga Komisioni Evropian janë gjithnjë e më të zëshëm me kritika, lidhur me ngecjet në dialogun politik në Kuvend, për shkak se pushteti ka harruar rregulloren e re, se shumë skandale korruptive që paralajmëroheshin në mënyrë spektakulare nga pushteti, kanë rënë në ujë, dhe se administrata vazhdon të jetë joefikase, e politizuar dhe e stërngarkuar nga punësimet partiake”, deklaron Radmilla Sheqerinska, ish-zëvendëskryeministre për çështje evropiane.
Ndërkohë, nga Demokracia e Re thonë se Qeveria ka dështuar edhe me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas kësaj partie opozitare, me disa veprime, ekzekutivi ka tensionuar edhe raportet ndëretnike, gjë që, siç thuhet, dëshmohet edhe me hulumtimet e fundit të opinionit, sipas të cilave, shumica e qytetarëve shqiptarë kanë humbur besimin në institucione.
“Qeveria jo vetëm që nuk punon në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por ajo është duke vepruar në kundërshtim me të gjitha parimet për integrimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Madje, ajo është duke punuar edhe me një politikë, e cila është duke i elektrizuar në skajshmëri raportet ndëretnike në vend”, thotë Arianit Hoxha, zëdhënës i Demokracisë së Re.
Por, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Vasko Naumovski, thotë se në asnjë moment, institucionet nuk kanë lënë anash obligimet që dalin nga procesi për integrimin e vendit, që, sipas tij, tanimë është i gatshëm për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Konsideroj se Maqedonia ka bërë përparimin e nevojshëm dhe se është e gatshme t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sikur të kishte kritika apo kritere të reja për Maqedoninë, ato me siguri se do të kumtoheshin nga Unioni, andaj do të apeloja që integrimi evropian dhe çështjet që ndërlidhen me këtë proces, që janë prioritet strategjik i Maqedonisë, të mos shfrytëzohen për qëllime të përftimit politik”, thotë Naumovski.
Duke komentuar këto zhvillime, edhe analistët politikë thonë se Maqedonia ka ngecur me reforma.
“Mendoj se janë harruar, jo pak, por janë harruar shumë, pasi vëmendja e Qeverisë dhe e opinionit publik, muajve të fundit, ka qenë e ngarkuar me çështje, të cilat as që ka pasur nevojë të paraqiten në këto momente”.
“Ne, gjatë kësaj periudhe, kemi pasur një situatë të tensionimit të marrëdhënieve ndëretnike me disa provokime, siç ishte projekti ‘Shkupi 2014’, enciklopedia, maqedonishtja... Domethënë, ka pasur shumë projekte që e kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe nuk është insistuar shumë në përmbushjen e kërkesave për reforma”, thotë analisti politik, Albert Musliu.
Ai shpreh dyshimin e tij se disa prej çështjeve, me të cilat është marrë opinioni, janë iniciuar me qëllim që të tërhiqet vëmendja nga çështja e integrimit dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit.
Sipas Musliut, ky do të ishte një gabim shumë i madh, që mund t’i kushtojë Maqedonisë, pasi ajo duhet të jetë e vetëdijshme se, krahas zgjidhjes së kontestit rreth emrit, duhet t’i përmbushë edhe reformat tjera që dalin nga procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.