Premtimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme se pasaportat biometrike do të nisin së prodhuari në mesin e këtij viti, duket se nuk do të realizohen.
Vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, i tha Radios Evropa e Lirë, se procesi i dhënies së pasaportave nuk do të nisë para muajit shtator.
“Duke u bazuar në udhërrëfyesin që e kemi hartuar në drejtim të procesit të liberalizimit të vizave, i kemi marrë hapat adekuatë dhe kemi planifikuar dhe prodhimin e pasaportave biometrike”.
“Kemi bërë një studim të fizibilitetit dhe ne presim që pas shpalljes së tenderit dhe pas kryerjes së formaliteteve teknike, të startojmë në shtator me prodhimin e pasaportave biometrike. Shtatorin e kemi si pikë referuese, por mund të jetë pak përpara ose prapa”, tha Xhelili.
Zëvendësministri Fatmir Xhelili theksoi se po punohet maksimalisht që, para se të fillohet me prodhimin e pasaportave biometrike, të ketë siguri të procesit.
Ai hodhi poshtë sinjalizimet se mbase Brukseli zyrtar nuk është duke dhënë dritën e gjelbër për dhënien e pasaportave biometrike.
“Me krijimin e kushteve dhe mundësive financiare për prodhim, ne vendosim vetë se kur i lëshojmë pasaportat biometrike dhe nuk është e caktuar se duhet të merret miratimi nga dikush për t’i prodhuar pasaportat biometrike. Nuk kemi pasur kurrë pengesë, po sikur të kishim mjete financiare, me kohë do të mund t'i prodhonim" , u shpreh Xhelili.
Ndërkaq, njohës të integrimeve evropiane thanë për Radion Evropa e Lirë se në rrugën për në BE, megjithatë, pëlqimi i Brukselit zyrtar për secilin kriter është më se i domosdoshëm.
Shenoll Muharremi theksoi se çdo veprim për fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike, duhet të bëhet në partneritet me Brukselin dhe se, sipas tij, nuk duhet të nxitohet në këtë drejtim.
“Kosova nuk duhet të jetë nën presion që t’i lëshojë pasaportat biometrike. Thjesht, ne duhet të fokusohemi në kritere të tjera duhet të sigurohemi që siguria e dokumenteve është në nivel”.
“Dhe, sa i përket pasaportave biometrike, ato teknikisht mund të lëshohen dhe gjithçka mund të zgjidhet shumë shpejt. Kurrsesi nuk duhet të procedojmë pasaporta pa e marrë dritën jeshile nga Brukseli, për shkak se, nëse ne lëshojmë pasaporta biometrike, Brukseli nuk mund të ndihet i sigurt”, tha Muharremi.
Fillimi i lëshimit të pasaportave biometrike është i rëndësishëm, por, sipas Muharremit, procesi i liberalizimit të vizave është shumë më i rëndësishëm.
Eksperti Muharremi theksoi faktin se me marrjen e pasaportës biometrike, nuk mund të këtë lëvizje të lirë në Evropë.
“Filllimisht, është shumë me rëndësi të cek që pasaportat biometrike janë çështje teknike dhe pavarësisht se janë shumë të nevojshme për procesin e liberalizimi të vizave, është shumë me rëndësi që paraprakisht Kosova të marrë një dritë jeshile nga Komisioni Evropian se siguria e dokumenteve është në nivel dhe pastaj t’i lëshojë këto dokumente”.
“Është shumë me rëndësi që Kosova të mos procedojë me lëshimin e pasaportave biometrike pa u siguruar Brukseli që siguria e dokumenteve është në nivel”, theksoi Muharremi
Përveç pasaportave biometrike, në procesin e liberalizimit hyjnë edhe kriteret tjera, si: menaxhimi i integruar i kufijve, riatdhesimi, zbatimi i strategjisë për migracion, forcimi i sundimit të ligjit etj.