Ndërlidhjet

Të drejtat e punëtorëve


Të drejtat e punëtorëve në Kosovë mbrohen në bazë të një rregulloreje të punës, ndërkaq projekt-ligji i punës është përgatitur nga Qeveria dhe disa herë është shqyrtuar në Parlament, por nuk është miratuar.

Sipas Haxhi Arifit, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kjo ka bërë që të drejtat e punëtorëve të shkelen vazhdimisht dhe atë në mënyrë drastike.

Ka kohë që kemi kërkuar që të nxirret Ligji i punës si ligj bazik, sepse cenohen të drejtat e punëtorëve në çdo aspekt. Ligji i punës është ligj, i cili garanton të drejtat e punëtorëve dhe sanksionon ata, të cilët nuk i përmbushin ato që janë të obligueshme për punëtorët”, shprehet Arifi.

Sipas tij, BSPK-ja ka dërguar disa dhjetëra shkresa në Qeverinë e Kosovës, duke kërkuar që të nxirret Ligji i punës.

“Tash, ligji do të shkojë në Qeveri, pastaj në Parlament, por nuk kemi informata nga Qeveria se pse nuk po miratohet. Ata po thonë që për shkak të kostos së lartë nuk po miratohet, por unë nuk besoj se është çështja te kostoja e ligjit”, thotë Arifi.

Në anën tjetër, Fadil Rracaj, këshilltar ligjor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shpjegon arsyet pse është shtyrë shqyrtimi i Ligjit të punës:

“Është shtyrë shqyrtimi i Ligjit të punës për shkak të nevojës së disa konsultave shtesë ndërministrore. Ende nuk dihet çka do të ndodhë me këtë ligj. Do t’i ndërmarrim të gjitha masat që të hyjë prapë në rishqyrtim”.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njihet si një nga institucionet, ku punëtorët janë më të rrezikuar. Prej pasluftës, në këtë institucion, në orar të punës kanë humbur jetën më shumë se 25 persona, derisa 30 për qind e punëtorëve janë lënduar.

Izet Mustafa, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës, thotë se për shkak të numrit të madh të punëtorëve që pësojnë gjatë orarit të punës, ky institucion, në bazë të rregullores së punës, bart vetëm disa shpenzime mjekësore për këta punëtorë.

“Specifikën e punës në KEK e kemi të tillë që pothuajse shumica e vendeve të punës e kanë rrezikun për jetë. Prej pasluftës kemi pasur më shumë se 25 raste të vdekjes së punëtorëve në vendet e punës”.

“Ne kemi një marrëveshje me kompaninë e KEK-ut që shpenzimet për kurim i bart kompania, e në raste kur humbin jetën, kompania bart shpenzime që i cakton gjykata përmes procesit të rregullt gjyqësor”
, thotë Mustafa.

Sipas tij, janë të shumtë punëtorët që lëngojnë nga sëmundjet, të cilat i marrin nga puna që bëjnë. Dhe, në momentin kur punëtori kërkon pushim mjekësor, thotë Mustafa, ai nuk përfiton ndonjë kompensim.

“Kjo kategori, kur shkon në pushim mjekësor, i ka vetëm 21 ditë pushim, derisa ditët tjera të sëmundjes i kalon pa pagesë, sepse nuk ka kompensim nga kompania ose sigurimi shëndetësor, sepse nuk ekziston”,
thotë Mustafa.

Përfaqësues të BSPK-së thonë se punëtorët kosovarë ende nuk i njohin të drejtat e tyre dhe procedurat e kërkimit të të drejtave, në rast se u mohohen ato.
XS
SM
MD
LG