Ndërlidhjet

Dell: Korrupsionin ta luftoni vetë!


Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka kërkuar që korrupsioni të luftohet nga kosovarët dhe të mos pritet gjithçka nga ndërkombëtarët. Komentet e Dellit vijnë pak ditë pasi që institucionet u kritikuan për mosluftimin e korrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Shoqëria juaj ende shikon kah bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi. Duhet të jetë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Kuinti apo trupa tjerë ndërkombëtarë ata që kërkojnë që Qeveria juaj t’i mbajë përgjegjës zyrtarët e saj”.

“Kjo s’do të shkojë gjatë. Nëse ju vareni në ne, që ne të bëjmë atë thirrje - kjo nuk do të jetë e shëndetshme për Kosovën. Kjo është shenjë e moszhvillimit. Kjo thirrje duhet të vijë nga brenda, nga njerëzit”,
ka thënë Dell me rastin e fillimit të trajnimit për task-forcat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të drogave dhe korrupsionit publik.

Ambasadori amerikan ka përçuar mesazhin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ai ka theksuar se sundimi i ligjit duhet t’iu mundësojë qytetarëve qasjen në drejtësi dhe është shenjë se ku është Kosova dhe ku duhet të shkojë.

“Një nga gjërat që ne kemi mësuar për më se 200 vjet është se nuk mund ta luftoni korrupsionin, nuk mund t’ua kufizoni pushtetin atyre që mbajnë poste qeveritare nëse themelet e institucioneve tuaja, të shoqërisë suaj, nuk janë të fuqishme dhe nëse nuk balancojnë njëra-tjetrën”.

“Trajnimi që do të ndiqni këtë javë, është një nga ato tullat e vogla, por të rëndësishme në vënien e themeleve të një shoqërie ku sundon ligji”
, u ka thënë ambasadori Dell gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve kosovarë.

Ai ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë mes hallkave të gjyqësorit, në mënyrë që besimi i qytetarëve në këtë sistem të rritet.

“Nëse njerëzit shikojnë përreth dhe nuk shohin se liderët e tyre po japin përgjegjësi, nëse e shohin se s’mund të kenë qasje në drejtësi, në gjykata, ata shumë shpejt do të humbasin besimin në proces dhe do të ndalen së kërkuari drejtësinë dhe ju do të hyni në një spirale të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”,
është shprehur Dell.

Tutje Dell ka shtuar se qarku duhet të pritet në fillim, jo nga bashkësia ndërkombëtare, por nga vetë populli i Kosovës.

Kjo, sipas tij, bëhet duke kërkuar drejtësi për veten dhe përgjegjësi nga liderët.

Ndërsa Ismet Kabashi, kryeprokuror i Kosovës, ka deklaruar se të gjitha krimet kudo që ndodhin, ato janë të rënda.

Ai ka shtuar se trafikimi i njerëzve, trafikimi i drogave dhe korrupsioni publik janë dukuritë më negative, që ndikojnë qenësisht në demokratizimin e shoqërisë dhe sigurimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Në këtë trajnim kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Gazmend Hoxha nga Departamenti kundër krimit të organizuar, trajnimet e tilla i ka konsideruar të rëndësishme.

“Policia e Kosovës është e interesuar që t’i marrë përvojat më të suksesshme ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe të keqes së përgjithshme”
, ka thënë Hoxha.

Trajnimi organizohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në sektorin e gjyqësisë mes punëtorëve gjyqësorë nga Karolina Veriore dhe atyre nga Kosova.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG