Ekspertët e së drejtës kushtetuese thonë se çdo ndryshim i Kushtetutës mund të shkaktojë përplasje të reja në skenën politike.
Ata, komentet i bënë lidhur me takimin e liderëve të partive politike, kushtuar iniciativës së kryeministrit Nikolla Gruevski, për ndryshime në pjesën e pushtetit gjyqësor, me të cilat synohet evitimi i ndikimeve politike dhe rritja e pavarësisë së Këshillit Gjyqësor Republikan.
Ekspertët thonë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me shumë kujdes, pasi ato mund të reflektohen edhe në nene të tjera, apo në ligje të tëra.
Profesori Savo Klimovski thotë se do të jetë i pashmangshëm zgjerimi i listës së kërkesave për ndryshime kushtetuese. Sipas tij, do të ishte shumë më mirë që të fillojë procedura për hartimin e një kushtetute të re, pasi shumë pjesë të saj nuk janë të harmonizuara.
“Me hapjen e ndryshimeve më të vogla të Kushtetutës, ju do të tërhiqni pasoja të paparashikueshme edhe në vende të tjera. Kushtetuta është akt që, në rast se ndryshoni qoftë edhe një presje të një neni, mund të reflektohet edhe në 130 nene të tjera dhe kjo do të kishte pasoja të mëdha, pasi do të ndryshonte thelbin e përcaktimit kushtetues”, thotë Klimovski.
Ai shton se ndryshimet parciale për momentin janë të panevojshme, vetëm nëse me to dikush nuk dëshiron të tërheqë vëmendjen e opinionit dhe të fshehë disa qëllime të tjera më të mëdha.
I të njëjtit mendim është edhe Osman Kadriu, ekspert për çështje të kushtetutës.
“Është koha e fundit që Maqedonia të ketë një kushtetutë të re, meqenëse kanë kaluar thuajse 20 vjet nga miratimi i Kushtetutës aktuale. Ka nevojë që të rregullohen të gjitha fushat dhe tërësitë kushtetuese-juridike me rregullativë të re, duke marrë parasysh se gjatë periudhës së kaluar 20-vjeçare kanë ndryshuar shumë rrethana”, deklaron Kadriu.
Ai thotë se, në rast se shkohet me miratimin e një kushtetute të re, duhet të mbyllen edhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, pasi, shton ai, ende nuk është definuar qartë pozicioni i gjuhës shqipe - nëse është ose jo kjo gjuhë zyrtare - por edhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve.
“Ka interpretime të ndryshme se vallë garantohet ose nuk garantohet gjuha shqipe si zyrtare?! Pas ndryshimeve të fundit kushtetuese, u soll një ligj që nuk është gjithëpërfshirës dhe sërish kemi ardhur në një situatë kur nuk mund të aplikohet gjuha shqipe si gjuhë zyrtare”.
“Kur thuhet se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e dytë në shtet, atëherë kjo nënkupton zyrtare në nivel shtetëror dhe jo vetëm në nivel të pushtetit lokal apo të komunave, pra në ato vende ku shqiptarët apo bashkësitë e tjera janë shumicë apo në nivel të konsiderueshëm. Domethënë, duhet të sqarohet se është apo jo gjuha shqipe zyrtare në nivel shtetëror”, thotë Kadriu.
Partia opozitare, Demokracia e Re, përveç përcaktimit të qartë të pozicionit të gjuhës shqipe me Kushtetutë, kërkon që ndryshimet të bëhen edhe në pjesën e votimit me parimin e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, për të pamundësuar që në të ardhmen të mbivotohen vendimet që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe të mos përsëritet rasti me shfuqizimin, në vitin 2007, të disa neneve të Ligjit për flamurin kombëtar.