Ndërlidhjet

Skenderaj: 1,800 familje jetojnë me ndihma sociale


Familja Hajdari
Familja Hajdari

Një shtëpi me tulla balte, gati e rrëzuar, është bërë strehë për familjen shtatë-anëtarëshe Hajdari, nga Skenderajt, e cila pësoi një tragjedi, disa javë më parë. Zjarri i shkaktuar nga energjia elektrike, jo vetëm që dogji tërësisht shtëpinë, por i mori jetën edhe vajzës njëvjeçare të familjes.

“Dola të marr ujë... sa mbërrita te vendi, kur kam kthyer kokën, çfarë të shoh, shtëpisë i kishte dalë tymi. Dëgjova britmat e saj, e dita që është duke u djegur, kurse djali kishte dalë. Pas gjysmë ore, djalin e kemi gjetur pothuajse pa shpirt. Vajza njëvjeçare më është djegur, nuk di çfarë të them më shumë...”, rrëfen me lot në Sabrije Hajdari, e ëma e vajzës së ndjerë.

Ulur afër një stufe me llamarinë të zezë e të ndryshkur, Sabrija shpreh mirënjohje për njerëzit zemërmirë, që u mundësuan të paktën një kulm mbi kokë, ani pse shtëpia në të cilën banojnë, ka vetëm një dhomë, që shfrytëzohet si kuzhinë, dhomë pritjeje e dhomë fjetjeje.

Për një familje shtatë-anëtarëshe, një dhomë e vetme që kundërmon, nuk është zgjidhja më e mirë. Por, nganjëherë, zgjidhja e vetme. Zonja Hajdari tregon se banesa nuk ka as kushte minimale për jetesë.

“Pesë fëmijë i kam, katër vajza dhe një djalë, edhe ne të dy... Jemi duke jetuar në këtë shtëpi. Ishte e një romi, tash e ka blerë një tjetër njeri dhe na e ka lëshuar neve. Po qëndrojmë pa qira. E falënderojmë atë që na e ka dhënë, sepse ne nuk kemi pasur mundësi të paguajmë qira. Jemi djegur me shtëpi e me fëmijë e me të gjitha”, shprehet zonja Hajdari.

Familje me varfëri të skajshme ka shumë në komunën e Skenderajt. Ndërsa, janë 1,800 sosh që jetojnë me ndihma sociale.

Zonja Hajdari tregon se shportën mujore ia mundësojnë të afërmit, por edhe ndihmat sociale të ofruara nga komuna. Por, me këto ndihma mundësohet vetëm ushqimi. Të tjerat janë luks për familjen Hajdari.

“Jo, nuk kemi rroba, vetëm miell na kanë dhënë, ngrohësen dhe këto gjërat ushqimore. Shoqëria e burrit na ka falur ca rroba”, tregon Sabrija, për të shtuar se, si për ironi të fatit, tani edhe bashkëshortin e ka të papunë.

“Me kombi ka punuar përpara, por tash nuk po ka as kohë të dalë. Dhe me të nuk mund të bëjë asgjë. Çka mund të bësh me 50 centë”, pyetet ajo.

Pak shpresë për familjen Hajdari jep Kuvendi Komunal i Skenderajt. Osman Veliu, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, thotë se familjes Hajdari do t’i ndihmohet për rindërtimin e shtëpisë.

“Ne, si drejtori, i kemi ndihmuar me një ndihmë emergjente në ushqim, në produkte higjienike, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq; krejt në mënyrë simbolike edhe disa mbulesa. Ndërsa, kryetari i komunës ka kontaktuar kryeministrin dhe ata janë zotuar se do ta mbështesin këtë familje, si dhe brenda një periudhe të caktuar do ta ndihmojnë dhe do t’ia ndërtojnë shtëpinë”, thotë Veliu.

Veliu tregon se një buxhet prej 20 mijë eurosh, sa ka komuna për shtresat e varfra, nuk mjafton për 1,800 familjet që marrin ndihma, 150 nga të cilat jetojnë në varfëri të skajshme.

Bazuar në statistikat e Bankës Botërore, Kosova ende vuan nga shkalla e lartë e varfërisë. Sipas këtij trupi botëror, rreth 42 për qind e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa 15 për qind në varfëri të skajshme.
XS
SM
MD
LG