Makinat e ndihmës së shpejtë, që njihen edhe si autoambulanca, në disa raste emergjente arrijnë më vonesë deri në vendin ku ka nevojë për to.
Në Policinë e Kosovës thonë se për shkak të mungesës së makinave që ofrojnë ndihmën e shpejtë, ka më shumë viktima nga aksidentet e trafikut. Një vlerësim të tillë e jep zëdhënësja e policisë, Sabrije Kamberi.
“Shpeshherë ndodh që policia të mbërrijë para autoambulancës, por duhet pasur parasysh edhe frekuentimet e mëdha të veturave në Prishtinë dhe kjo shkakton telashe. Policia e ka të përfunduar trajnimin se si të kryhet ndihma e parë dhe shpesh ndodh që derisa të vijë autoambulanca, policia e kryen ndihmën e parë”, thotë Kamberi.
Edhe vetë qytetarët kanë ankesa për vonesat e autoambulancave në raste urgjente. Njëri ndër ta është Arben Abazi, të cilit i është dashur ta presë më shumë se gjysmë ore, ndërkohë që i ati i sëmurë nga zemra kishte nevojë për ndihmë të shpejtë.
“Kam pasur rast që e kam thirrur ndihmën e shpejtë dhe nuk është përgjigjur pas disa thirrjeve radhazi”, thotë ai.
Mirëpo, Haki Dragusha, zyrtar i ndihmës së shpejtë mjekësore, thotë se shërbimi i ndihmës së shpejtë në Prishtinë punon 24 orë dhe punon me dy ekipe mjekësore në teren.
Ky shërbim posedon 11 autoambulanca, por vetëm 5 prej tyre funksionojnë me kapacitet të plotë. Sipas zotit Dragusha, kjo nuk është as përafërsisht e mjaftueshme për t’i mbuluar kërkesat e qytetarëve që kërkojnë ndihmë emergjente.
“Enti i ndihmës së shpejtë i ka 11 autoambulanca dhe 5 prej tyre funksionojnë me kapacitet të plotë. Mirëpo, duke marrë parasysh gjithë këtë numër të banorëve në Prishtinë, nuk plotësohen kërkesat e qytetarëve. Numri i punëtorëve në ndihmë të shpejtë është i limituar. Edhe për vitin 2010 do të jetë gjendja e njëjtë, për shkak se nuk lejojnë pranimin e punëtorëve të rinj”, deklaron Dragusha.
Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, thotë se Qendra Klinike Universitare ka përfituar nga donacioni çek dy autoambulanca dhe në këtë formë, shton ai, është arritur ngritja e kualitetit në punë.
Më herët, autoambulancat e ndihmës së shpejtë janë shfrytëzuar edhe për bartjen e pacientëve nga emergjenca në klinikat e QKU-së.
“Këto autoambulanca do të shërbejnë për nevojat e QKU-së, me të cilat do të plotësohen kërkesat e pacientëve”, thotë Lenjani.
Sidoqoftë, Isuf Bajrami, specialist i mjekësisë emergjente, shpjegon faktorët që ndikojnë në mungesat e autoambulancave për të ofruar ndihmën e parë.
“...ndikon infrastruktura, adresat nuk janë rregulluar si duhet, ndriçimi, pastaj mungesa e ashensorëve ndikon shumë në arritjen me kohë si ndihmë e shpejtë, për të mos përmendur kaosin në trafik, që është njëri nga faktorët kryesorë”, përfundon Bajrami.