Ndërlidhjet

Kapacitetet integruese drejt BE-së


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të agjendës për integrim në Bashkimin Evropian, është edhe themelimi i Ministrisë së Integrimit.

Për këtë çështje, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se, në javët e ardhshme, mund të ketë një vendim nga ekzekutivi për formimin e kësaj ministrie. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë:

“Janë duke u shqyrtuar opsionet e mundshme dhe nëse merr një mbështetje definitive, atëherë do të procedohet shpejt. Por, tash për tash, nuk ka një vendim definitiv; besojmë se një vendim i tillë mund të merret së shpejti”.

Krasniqi hedh poshtë deklaratat se ka ndonjë mosmarrëveshje në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sa i takon ndonjë vendimi për themelimin e Ministrisë së Integrimit dhe rreth asaj se cilës parti do t’i takojë udhëheqja e saj.

“Nuk ka kurrfarë problemesh, sepse krijimi apo jo i Ministrisë për Integrime Evropiane është çështje që ndërlidhet me nevojat për ngritjen e kapaciteteve dhe koncentrimin e angazhimeve në një dikaster të vetëm, për sa i përket çështjes së integrimit evropian. Në asnjë mënyrë nuk lidhet me marrëdhëniet në mes të partnereve të koalicionit”, thekson Krasniqi.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës konsiderojnë se përmes Ministrisë së Integrimit, mund ta përshpejtojnë rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Por, njohësit e integrimeve evropiane e thonë të kundërtën. Sipas Avni Mazrekajt, nuk është më rendësi të madhe themelimi i ministrisë, por kompletimi i kapaciteteve brenda Agjencisë së Integrimit.

“Me rendësi është që kapacitetet të ndërtohen brenda atij institucioni. Unë nuk pres shumë edhe nga ndërtimi i kësaj ministrie, nëse veç themelohet si ministri, për shkakun se koncepti apo krejt procesi i themelimit të kësaj ministrie ka shkuar në funksion të kënaqjes se apetiteve politike të partnerëve të koalicionit”.

“Prandaj, unë mendoj se kjo nuk do të duhej të ishte qasja në funksion të kapaciteteve të Kosovës, për t’u përshtatur me nevojat që ka procesi i akcesionit të Kosovës në BE”
, thotë Mazrekaj.

Agjencia e Integrimit, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të mund të luante një rol të duhur për të ndihmuar procesin e integrimit të Kosovës në BE, shton Mazrekaj, por, sipas tij, kjo agjenci nuk është duke i kryer detyrat që i ka.

“Agjencia për Integrime, që momentalisht e ka Kosova, ka deficit të madh profesional. Nëse kjo logjikë e një politike të tillë kadrovike transformohet edhe në Ministrinë për Integrime Evropiane, unë nuk pres shumë që Kosova të përmirësojë pozitën e vet në procesin e akcesionit. Është e rëndësishme që të ndërtohen kapacitete brenda cilitdo institucion”, thekson Mazrekaj.

Ekspertë të integrimeve evropiane konsiderojnë se planet për integrim në BE duhet të implementohen, e jo të figurojnë vetëm si dokumente.

Kohë me parë, Këshilli Ndërministror për Integrime Evropiane është zotuar se të gjitha institucionet e vendit janë të angazhuara maksimalisht në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, si dhe shtimin e thellimin e dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG