Në Kosovë nuk ekziston një sistem i mirëfilltë i regjistrimit të kualitetit të ushqimit dhe nuk ka të dhëna se sa shpenzohet ushqim në vit për kokë banori.
Shkalla e lartë e varfërisë bën që të konsumohet sasi e pamjaftueshme e ushqimit, thotë Tahire Gjergji, drejtoreshë e departamentit për ekologji humane.
“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kujdeset për kontrollin e kualitetit të ushqimit, por nuk jemi të kënaqur me çka ofrojmë, sepse numri i mostrave që vijnë në laboratorët tonë nuk është i mjaftueshëm dhe, në këtë mënyrë, nuk mund të garantojmë për kualitetin e ushqimit që konsumohet në Kosovë”, thotë Gjergji.
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se për ushqyeshmërinë ka rekomandime të ndryshme, në bazë të hulumtimeve që janë bërë nga ky institut. Sipas tij, ushqyeshmëria në vend është e mangët.
“Ne po përpiqemi që derisa të bëhet ngritja e standardit të jetesës në nivel optimal, të mund t’i parandalojmë me programe të posaçme ato sëmundje që vijnë si mungesë e mikronutrientëve në ushqim”, thekson Ramadani.
Ndërkaq, Agron Gashi, nga UNICEF-i, thotë se kjo organizatë ka një sërë aktivitetesh për përmirësimin e gjendjes shëndetësore, e që kanë të bëjnë me program të të ushqyerit.
“Këtu hyn edhe ushqimi me gji i foshnjave, që është shumë me rëndësi për një fillim të mirë. Jemi duke përkrahur në këtë kontekst edhe trajnimin e punëtorëve shëndetësorë se si të ushqehen fëmijët, fëmijët e vegjël, e sidomos për mungesën e jodit, që është shumë i rëndësishëm”, thotë Gashi.
Sipas tij, pasurimi i miellit është mënyra më e mirë dhe më e lirë që redukton mungesën e disa elementeve, si acidi folik dhe hekuri. Mungesa e këtyre përbërësve shkakton shumë anomali, e ndër to edhe lindje të parakohshme dhe lindje të fëmijëve të vdekur.
Në anën tjetër, Mimoza Ahmetaj, deputete në Kuvendin e Kosovës, thotë se po punohet për të sjellë në jetë një ligj të ri, që do të bënte pasurimin e miellit me acidin folik dhe hekur, në mënyrë që këto t’i marrë e gjithë popullata përmes bukës.
“Duke marrë parasysh shkallën e lartë të anemisë që i prek fëmijët dhe gratë, po mundohemi të sjellim në jetë një ligj dhe një proces, që kjo të jetë forma që do ta ulte shkallën e lartë të anemisë”, thotë Ahmetaj.
Ndryshe, sipas hulumtimeve të bëra në Kosovë, llogaritet që një në pesë fëmijë të jetë i paushqyer.