Ndërlidhjet

Edhe një shtyrje


Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti.
Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti.

Procesi gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shtyrë për datën 13 prill.

Shtyrja është bërë për shkak të mungesës së zotit Kurti në këtë seancë, por edhe për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, Ramiz Krasniqi, si dhe gjyqtares Fëllanza Kadiu.

Zëdhënësja e komponentit për drejtësi e EULEX-it, Kristina Herodes, tha se ishin tri arsye që bënë që të shtyhet procesi gjyqësor për më shumë se një muaj.

“Arsyeja e parë është se kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë nuk ka mundur të gjejë zëvendësim për anëtaren e panelit, zonjën Fëllanza Kadiu. Arsyeja e dytë është se avokati mbrojtës nuk ishte i pranishëm dhe kryesuesi i panelit ka emëruar një avokat tjetër zyrtar (ex oficio) dhe ai është Musa Dragusha. Dhe, arsyeja e tretë është se i pandehuri, zoti Kurti, nuk ishte i pranishëm”, sqaroi Herodes.

Sipas saj, ky është një rast i zakonshëm, askush nuk është mbi ligjin dhe secili është fajtor, përderisa nuk dëshmohet e kundërta. “Ne po e trajtojmë këtë proces si të rëndomtë”, deklaroi Herodes.

Gjyqtari Ferdinando Mangota kritikoi institucionet e drejtësisë dhe autoritetet e rendit se nuk po i ndërmarrin masat e duhura për procesin. Sipas tij, kjo tregon për paaftësinë e institucioneve të Kosovës për të ndihmuar në lidhje me rastin.

Në anën tjetër, kryesuesi i panelit të gjykatësve ka vendosur që Musa Dragusha ta mbrojë zotin Kurti tash e tutje. Por, zoti Dragusha, i cili është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), tha se pozita që ai mban, e bën të pamundur mbrojtjen e Kurtit.

“Funksioni dhe pozita e tillë janë thelbësore për përmbushjen e misionit të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe lidhen me shërbimin e rregullt të kryetarit të OAK-ut. Ky pozicion i kryetarit të Odës së Avokatëve e bën një avokat të padisponueshëm për t’u caktuar ex oficio për çfarëdo rasti penal”
, tha Dragusha.

Në lidhje me vendimin e gjykatës, zoti Dragusha tha se është informuar nga mediat. Kurse, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, vendimin e tillë e shpjegon në këtë mënyrë:

“Oda e Avokatëve, javën e kaluar, i ka dalë në mbrojtje avokatit Ramiz Krasniqi në dorëheqjen e tij dhe në kundërshtimin e tij që të marrë pjesë në seancat gjyqësore kundër Albin Kurtit. Tash, është ai person, i cili i doli në mbrojtje Ramiz Krasniqit, që do të shërbejë si avokat mbrojtës”.

“Kjo është edhe një mënyrë tjetër se si EULEX-i po tenton t’i dënojë ata avokatë, të cilët kanë shprehur ose janë bërë pjesë e solidaritet të mëhershëm të avokatëve
”, u shpreh Ymeri.

Ai sërish përsëriti se procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit është politik.

“Në seancën e sotme u pa qartë se, në fakt, gjykatësit e EULEX-it nuk janë gjykatës, por janë më shumë politikanë. U tregua qartë nga gjykatësi i këtij procesi gjyqësor se, në fakt, EULEX-i këtu nuk është për të monitoruar dhe këshilluar siç na kanë thënë, por është për të urdhëruar”.

“Gjykatësi, sot në seancën gjyqësore, dha urdhra dhe kërcënime për të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga gjykatat, pastaj policia, Oda e Avokatëve, si dhe kërkuan qartazi që qytetarët e Kosovës, populli i Kosovës t’i nënshtrohet një procesi të disiplinimit”,
deklaroi Ymeri.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar procesin gjyqësor kundër tij të motivuar politikisht.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG