Kushtetuta e Kosovës, gati dy vjet që nga miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës, nuk po arrin të zbatohet në tërësi, vlerësojnë ekspertët e çështjeve kushtetuese.
Sipas tyre, sfidë për zbatimin e saj mbetet pjesa e veriore e Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës, si dokumenti më i lartë juridik i vendit, në disa segmente, nuk është duke u zbatuar fare, thotë Fatmir Fehmiu, ekspert i çështjeve kushtetuese dhe njëri nga anëtarët e grupit për hartimin e saj.
“Duke pasur parasysh faktorët, që janë bartës të zbatimit të Kushtetutës, e të cilët sillen në mënyrë komode, mund të konkludojmë se në disa segmente nuk është prekur fare, siç është, për shembull, territori unik, për të cilin është i njohur opinioni vendor dhe botëror, duke u arsyetuar se institucionet paralele herë ekzistojnë, e herë nuk ekzistojnë”.
“E, në anën tjetër, hartohet strategjia, e cila është përgatitur së bashku me EULEX-in, e që disi është krejtësisht një çështje joserioze në zbatimin e Kushtetutës”, thotë Fehmiu.
Edhe në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut, Fehmiu thotë se Kushtetuta nuk po zbatohet.
Ai shton se ka edhe segmentet të tjera, të cilat nuk kanë filluar ende së zbatuari.
“Zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, po ta prekni dhe analizoni në të gjitha sferat, do të shihni se shumë fusha nuk janë ende në fillim të zbatimit të këtyre dy parimeve fundamentale, e të cilat janë si garanci për qetësi, paqe e siguri në vend”, deklaron Fehmiu.
Nga ana tjetër, Iliriana Islami, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, thotë se duke u bazuar në disa vendime që kjo gjykatë ka nxjerrë, e të cilat, siç shprehet ajo, janë respektuar edhe në veri, mund të jepet një vlerësim i përgjithshëm për këtë çështje.
“Deri më tani, nga praktika jonë, po shihet se institucionet i aplikojnë dhe i marrin seriozisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po më duket që ne, normalisht, atë koordinimin e gjykatës dhe institucioneve tashmë po e realizojmë”.
“Kështu që, kjo është një çështje e mirë, një hap përpara, që po shihet se respektohet Kushtetuta”, thekson zonja Islami.
Nëse vendimet e gjykatës respektohen, thotë zonja Islami, atëherë mund të konstatohet se ka respektim të Kushtetutës së Kosovës.
“Vendimet e gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese respektohen. Atëherë, mund të themi se Kushtetua respektohet”.
“Normalisht, që ne jemi në fazën fillestare, kur kemi më shumë raste individuale për të drejtat e njeriut, por sa i përket funksionit, deri më tani ne mund të themi se jemi të kënaqur”, shprehet Islami.
Mungesa e zbatimit të ligjit, rrjedhimisht përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës, thotë eksperti Fehmiu. Ai shpreh mendimin se institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë për ta shndërruar Kosovën në një shtet ligjor.
“Për ta zhvilluar një konsekuencë në zbatimin e parimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, duhet të respektohet në mënyrë besnike dialogu në mes të asaj që quhet subjekt shtetëror, edhe qytetar”.
“Siç po e shihni, komplet aparati shtetëror është burokratik, e burokracia në një shoqëri demokratike është kancer”, thotë Fehmiu.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga ekzekutivi që të përgatisë një raport për moszbatueshmërinë e Kushtetutës së Kosovës në veri të vendit.
Zyrtarë të Qeverisë kanë bërë të ditur se raporti ende është duke u përgatitur.
Kuvendi i Kosovës ka paralajmëruar që, në njërën nga seancat e radhës, do të debatohet për atë se sa është duke u zbatuar Kushtetuta.