Numri i lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës vazhdon të jetë shumë i madh. Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës thonë se numri i lëndëve që presin zgjidhje, është rreth 300 mijë. Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj Berisha, shpjegon:
“Lëndët e pazgjidhura janë problem që preokupon gjyqësorin e Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Është një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjyqësorin e Kosovës. Ky numër, domethënë, është në tremujorin e parë të vitit 2009; në të gjitha gjykatat e rregullta dhe në gjykatat komunale për kundërvajtje janë 263 mijë e 406 lëndë të pazgjidhura. Ky është numri i fiksuar i lëndëve të pazgjidhura në tërë gjyqësorin e Kosovës”, tha zonja Berisha.
Në numrin kaq të madh të lëndëve të pazgjidhura, në përgjithësi në gjyqësorin e Kosovës, kanë ndikuar shumë faktorë, pohon ajo.
"Mosefikasiteti i organeve dhe institucioneve shtetërore në përmbushjen e detyrave nga kompetenca e tyre; numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve për të përballuar zgjidhjen me kohë të lëndëve në gjykatë; shpërndarja joadekuate e gjyqtarëve në disa gjykata”.
“Pastaj, numri i pamjaftueshëm i prokurorëve; kushtet e punës (mungesa e hapësirës, numri i pamjaftueshëm i automjeteve për terren, mungesa e teknologjisë informative, stimulimi material i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës etj.); numri i vogël i bashkëpunëtorëve dhe praktikantëve; numri i vogël i ekzekutueseve; çështja e adresave, çështja e dëshmitarëve; pasoja e luftës etj.”, tha zonja Berisha.
Në anën tjetër, juristët nuk parashohin zgjidhje të shpejtë të problemit. Musa Dragusha, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, përmend po ashtu disa nga problemet e shumta me gjyqësorin e Kosovës, që paraqesin problem në mbarëvajtjen dhe numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura
“Problem që çon te azhuriteti nëpër gjykata, janë edhe pagat e vogla. Pastaj, natyra primitive e sistemit të administratës gjyqësore, në veçanti mungesa e rrjeteve kompjuterike dhe internetit; mungesa e sistemit elektronik të menaxhimit të lëndëve; mungesa e aparaturës teknike për përcjelljen e gjykimeve, një sistem i avancuar i përgatitjes së vazhdueshme profesionale për prokuror, gjyqtar e avokat, me programe të veçanta të praktikimit të ligjeve”.
“Duhet ditur që shumica e njerëzve që janë bartës të funksioneve gjyqësore, nuk kanë pasur më parë përgatitje ligjore, standarde moderne, demokratike dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u shpreh zoti Dragusha.
Gjykatat komunale, sipas zyrtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë ato që prijnë me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura.
Sipas zotit Dragusha, e gjithë kjo situatë në sistemin e drejtësisë po shkaktohet nga mosmenaxhimi i duhur.
“Në fakt, pengesat kryesore janë në menaxhim. Paaftësia e vazhdueshme e kosovarëve që të menaxhojnë me sistemin e drejtësisë, është problemi kyç. Kjo paaftësi rezulton me faktin që që katër vjet nuk është përkushtimi të nxirren këto ligjet sistemore, me të cilat do të reformohej sistemi i drejtësisë”, tha zoti Dragusha.
Edhe njohës të tjerë të drejtësisë mendojnë se një nga mënyrat më të mira që mund të çojë kah zgjidhja e problemit të numrit të madh të lëndëve gjyqësore, është miratimi i infrastrukturës ligjore, që besohet se do të çojë në reformim të sistemit të drejtësisë.
Ndërsa, në disa hulumtime të fundit të organizatave ndërkombëtare thuhet se vonesat në zgjidhjen e çështjeve gjyqësore dhe juridike zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.