Propozimi për ndarjen e Kosovës në vija etnike ndërmjet shqiptarëve shumicë dhe pakicës serbe është inekzistent dhe i papranueshëm për institucionet e Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë së propozimet e tilla për ndarje në Ballkan, kanë dominuar në vitet e 90-ta dhe të tillat nuk duhet të përmendën më.
"Logjika e ndarjeve etnike në Ballkan ka dominuar në vitet e 80-ta, respektivisht në vitet e 90-ta. Ajo logjikë nuk duhet të dominojë më, e aq më pak të propozohet nga ndonjë qeveri. Por, për Kosovën, ato propozime janë inekzistente", tha Kuçi.
Institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do të kujdesën për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë edhe ata të komunitetit serb, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
"Ata mund të kenë ide shumë më afirmative për shqiptarët që jetojnë brenda Serbisë apo për qytetarët e vet. Për Kosovën dhe qytetarët e saj, qoftë edhe ata serbë, kujdesemi ne bashkë me bashkësinë ndërkombëtare", tha Kuçi.
Edhe analisti politik, Muhamet Mavraj, thotë se idetë e tilla që kanë dalë së fundi në opinion nga Qeveria e Serbisë, janë ide të vjetra të politikës serbe.
"Mund të them se Serbia po sillet si shtet jo normal i Evropës; po zbaton politikë primitive në shekullin XXI, krejtësisht jashtë kohe dhe në njëfarë mënyre ofenduese ndaj vlerave të civilizimit. Atë që po e kërkon Serbia, natyrisht me tema të sforcuara, pak a shumë e ka në pakon e Ahtisaarit dhe në projektin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës", tha Mavraj.
Zoti Mavraj ka shtuar se kërkesa e Serbisë synon ndarjen e Kosovës dhe, siç thotë ai, ngulfatjen e shtetit të Kosovës.
"Nuk ka logjikë që të aprovohet kjo kërkesë e Serbisë, e sidomos pas realitetit të ri në Kosovë. Siç e dini, fuqitë më të mëdha ushtarake dhe ekonomike të botës e kanë njohur tashmë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës", tha Mavraj.
Nga ana tjetër, edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Gaxherri, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, vlerëson se dokumentet e tilla janë të papranueshme. Ajo thotë se pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga shumë shtete të madha, dokumentet e tilla që i ka propozuar Qeveria e Serbisë nuk kanë kurrfarë baze.
"Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas njohjes nga shumë shtete, domethënë shtete me fuqi relevante, siç janë shtetet e BE-së dhe SHBA-ve, shqyrtimi i një propozimi të tillë është i pavlerë dhe nuk është dashur të bëhet në mënyrë institucionale. Për mendimin tim, është krejt e papranueshme që PSSP-ja ta pranojë një propozim të tillë dhe ta dërgojë në Kombet e Bashkuara", tha Gaxherri.
Kosova tashmë është duke punuar për një demokraci të mirëfilltë, ka thënë zonja Gaxherri dhe ka shtuar se dokumenti i cili është dërguar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk do të diskutohet fare. Zonja Gaxherri ka thënë se serbët e Kosovës duhet të integrohen në institucionet kosovare.
"Kosova do të veprojë me ligjet e veta brenda territorit të vet dhe natyrisht që përmes ligjeve i kanë lidhjet siç është kultura e të gjitha ato, por asgjë tjetër. Minoriteti serb duhet të integrohet brenda territorit të Kosovës dhe duhet të vazhdojmë tutje", tha Gaxherri.
Serbia ka propozuar ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike ndërmjet shqiptarëve shumicë dhe pakicës serbe.
Propozimi, i cili është bërë publik sot në shtypin e Beogradit, i është dorëzuar Kombeve të Bashkuara.
Propozimi thotë se Beogradi e njeh juridiksionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por shton se vetëm serbët e Kosovës dhe jo shqiptarët e Kosovës, mund të punojnë në polici, gjyqësi dhe dogana në 15 për qind të territorit të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë.
Sipas propozimit, policët serbë në Kosovë do t'u përgjigjeshin autoriteteve lokale serbe dhe do të ishin nën komandën e UNMIK-ut.
Në dokument, pos tjerash, thuhet se "nëse ndonjë palë vendos barriera tregtare, atëherë serbët e Kosovës kanë të drejtë të vendosin autoritetin e vet doganor".
Dokumentin në fjalë, ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ia ka dorëzuar UNMIK-ut, më 16 mars.