Kandidati pro-rus, Igor Dodon, tha se ka fituar rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Moldavi, i cili është mbajtur të dielën.
Me gati të gjitha votat e numëruara, Dodon ka fituar 55 përqind, ndërsa rivalja e tij pro-evropiane, Maia Sandu, 45 përqind.
Këto kanë qenë zgjedhjet e para direkte presidenciale në Moldavi, në 20 vjet.
Që nga viti 1996, presidentët e Moldavisë janë zgjedhur nga Parlamenti.
Zgjedhjet janë parë si betejë midis atyre që mbështesin lidhjet më të afërta me Rusinë dhe atyre që duan integrimin në Bashkimin Evropian.
Sandu u ka bërë thirrje zyrtarëve zgjedhorë që të japin dorëheqje, duke thënë se zgjedhjet kanë qenë të organizuara dobët.