Banka Botërore përgatit tri miliardë dollarë për Ukrainën
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar po përgatisin mbështetje financiare për Ukrainën.
Në një deklaratë të përbashkët, drejtuesit e dy agjencive thanë se janë të shqetësuar për përhapjen e mundshme të efekteve të pushtimit rus.
Ata përmendën rritjen e çmimeve të mallrave, ndërprerjet në tregjet financiare dhe rrezikun e rritjes së mëtejshme të inflacionit global.
Banka Botërore u zotua se do të ndajë 3 miliardë dollarë për Ukrainën në muajt e ardhshëm, përfshirë së paku 350 milionë dollarë në javën e ardhshme.
FMN-ja tha se do të shqyrtojë me shpejtësi kërkesën e Ukrainës për financim emergjent.
FMN-ja gjithashtu tha se shpreson të ndajë 2.2 miliardë dollarë fonde deri në qershor.
Boeing pezullon mbështetjen për linjat ajrore ruse
Gjiganti amerikan i aviacionit, Boeing, njoftoi se do të pezullojë mbështetjen e tij për linjat ajrore ruse, ashtu si edhe operacionet e tij në Moskë, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne kemi pezulluar operacionet kryesore në Moskë dhe kemi mbyllur përkohësisht zyrën tonë në Kiev”, tha një zëdhënës i Boeing-ut në kryeqytetin ukrainas.
“Ne po pezullojmë edhe mirëmbajtjen dhe shërbimet e mbështetjes teknike për linjat ajrore ruse. Ndërsa konflikti vazhdon, ekipet tona janë të fokusuara në garantimin e sigurisë”, tha ai.
Ankaraja refuzon kalimin e luftanijeve ruse nëpër ngushticat turke
Turqia ka refuzuar hyrjen e anijeve luftarake ruse në ngushticat e saj, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, për radion turke Haberturk.
Bazuar në një konventë të vitit 1936, Turqia ka kontroll mbi Ngushticën e Bosforit dhe Dardaneleve, që lidhin Detin e Zi dhe Mesdheun.
Derisa anijet tregtare mund t’i kalojnë lirisht ngushticat në kohë paqeje, luftanijet përballen me kufizime të caktuara.
Moska ka paraqitur kërkesa për kalimin e anijeve dhe i ka tërhequr ato pasi pala turke ia ka kërkuar një gjë të tillë, tha Cavusoglu.
Sipas tij, Rusia ka kërkuar kalimin për disa anije që nuk janë të regjistruara në Detin e Zi.
ExxonMobil u jep fund operimeve në Rusi
Firma energjetike ExxonMobil njoftoi se do t’i ndërpresë operimet në Rusi dhe se do t’iu japë fund investimeve të mëtejshme atje.
Kompania me seli në Teksas të SHBA-së tha se do të largohet nga të gjitha projektet, përfshirë një sipërmarrje të madhe të naftës dhe gazit në ishullin Sakhalin në Lindjen e Largët të Rusisë.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale, ExxonMobil nuk do të investojë në zhvillime të reja në Rusi”, tha kompania.
“Ne e dënojmë veprimin ushtarak të Rusisë, që cenon integritetin territorial të Ukrainës dhe rrezikon popullin e saj”, shtoi ajo.
Exxon ka thënë më herët se ka 1,000 punonjës në Rusi dhe se ka operuar atje për 25 vjet.