Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
23:59 1.3.2022

Biden: Lufta e Putinit është e paramenduar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mban sonte fjalimin vjetor drejtuar kombit.

Sipas disa fragmenteve të lëshuara përpara fjalimit, Biden do të thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nënvlerësuar reagimin e fuqishëm të Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

“Lufta e Putinit është e paramenduar dhe e paprovokuar”.

“Ai i ka hedhur poshtë përpjekjet për diplomaci. Ai ka menduar se Perëndimi dhe NATO-ja nuk do të përgjigjen. Ai ka menduar se mund të na ndajë. Putin ka gabuar. Ne kemi qenë gati”, pritet të thotë Biden.

REL do të përcjellë drejtpërdrejt fjalimin e presidentit Biden, i cili nis në orën 9 të mbrëmjes, sipas kohës në Uashington. Na ndiqni.

00:25 2.3.2022

Rusia merr “mbështetje të fuqishme” nga Venezuela

Në një shprehje të rrallë të mbështetjes për Rusinë, pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, e siguroi presidentin rus, Vladimir Putin, për mbështetjen e tij “të fuqishme”.

Dy udhëheqësit biseduan përmes telefonit, me iniciativën e Karakasit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Maduro i dënoi edhe, siç thuhet, “veprimet destabilizuese të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”.

Qindra njerëz janë vrarë në Ukrainë dhe së paku gjysmë milioni janë zhvendosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin, më 24 shkurt.

Putin ka urdhëruar sulmet, pasi nuk ka marrë garanci se NATO-ja nuk do të zgjerojë aleancën e saj ushtarake drejt lindjes.

Pas telefonatës, Maduro publikoi një mesazh në Twitter me një fotografi të tij dhe Putinit. Ai po ashtu tha se i ka thënë udhëheqësit rus se Venezuela është “në favor të mirëkuptimit dhe dialogut, si mënyrë për të ruajtur paqen”.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro.

Venezuela, së bashku me Kubën dhe Nikaraguan, janë aleate të Moskës nga Amerika Latine.

Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera nuk e njohin rizgjedhjen e Maduros president në vitin 2018.

00:39 2.3.2022

Për ju që sapo jeni kyçur në blogun tonë, disa nga lajmet e fundit janë:

  • Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Genadi Gatilov, tha se Moska nuk sheh dëshirë nga ana e Ukrainës për të gjetur një zgjidhje legjitime dhe të balancuar për problemet.
  • G7, apo grupi i vendeve më të industrializuara, do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë, përfshirë ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve të elitave ruse.
  • Një zyrtar amerikan tha se një kolonë e blinduar ruse, që ishte nisur drejt Kievit, është bllokuar, për shkak të mungesës së ushqimit dhe karburantit.
  • Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, diskutuan se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po punojnë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë.
  • Rusia tha se do të hakmerret për dëbimin e 12 diplomatëve të saj nga SHBA-ja, nën dyshimet për spiunim.
  • Grupi ukrainas i rezistencës kibernetike tha se planifikon sulme digjitale kundër infrastrukturës kritike ruse, si hekurudhat dhe rrjeti elektrik.
  • Shtetet e Bashkuara dhe 30 vende të tjera ranë dakord që të lëshojnë 60 milionë fuçi naftë nga rezervat e tyre strategjike, për të stabilizuar tregjet globale të energjisë.
00:53 2.3.2022

Ukraina: Raketat dëmtuan objektiva civile

Një sulm ajror në qytetin Zhitomir të Ukrainës u raportua në orët e vona të së martës.

Sipas mediave në Ukrainë, raketat ruse dëmtuan objektiva të shumta civile, duke përfshirë ndërtesa banimi dhe një spital.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Herashchenko, tha se së paku katër persona janë vrarë.

Zhitomir ndodhet rreth 140 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Herashchenko tha se ka pasur edhe një tjetër sulm ajror në Harkiv.

Pretendimet e tij nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG