Blinken vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
“Dikush mund të kryes nëse një shtet anëtar i OKB-së, që përpiqet të marrë nën kontroll një tjetër anëtar të OKB-së – duke kryer abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të mbetet në këtë këshill”, tha ai gjatë një fjalimi para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.
“Ne duhet të dënojmë me vendosmëri dhe pa mëdyshje përpjekjen e Rusisë për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe abuzimet e rënda ndaj të drejtave të njeriut”, tha Blinken.
Sekretari Blinken po ashtu foli edhe represionin që bën Kremlini brenda Rusisë, duke përmendur mbylljen e organizatave për të drejtat e njeriut, sulmet ndaj aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë dhe shtypjen ndaj mediave.
Jamie Shea: Lufta në Ukrainë, test për sigurinë kolektive
Lufta nuk është vetëm krizë për Ukrainën; është edhe krizë midis diktatorëve autoritarë - që mendojnë se forca është e drejtë - dhe demokracisë perëndimore. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
“Nuk mendoj se [presidenti rus, Vladimir] Putin e ka pritur këtë rezistencë të fortë. Në mediat sociale shohim postimet e disa ushtarëve rusë, të rekrutëve që janë dërguar në Ukrainë dhe ata tregojnë se si gjeneralët e tyre u kanë thënë se kjo do të jetë një detyrë e lehtë, se do të priten si çlirimtarë nga ukrainasit. Natyrisht se nuk ka ndodhur kështu, por kjo tregon pakëz mentalitetin e ushtrisë ruse”, thotë Shea.
Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Biden: Rusia do të mbahet përgjegjëse
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha Rusia do të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Ukrainës.
Ai tha se ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku është diskutuar për mbështetjen e sigurisë dhe humanitare të Uashingtonit ndaj Kievit.
“Kam biseduar me presidentin Zelensky për mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën – përfshirë ndihmën e sigurisë dhe atë humanitare – teksa ajo mbron veten kundër agresionit rus. Ne do ta mbajmë përgjegjëse Rusinë dhe sanksionet tona veçse kanë pasur ndikim shkatërrues”, tha Biden përmes një postimi në rrjetet sociale.
Më herët, Zelensky tha se e ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme, teksa shteti i tij po përballet me agresionin e Rusisë.
G7: Sanksionet ndaj Rusisë po kanë ndikim masiv
Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë po kanë ndikim të madh në ekonominë ruse, tha të martën ministri gjerman i Financave, teksa grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) po shqyrtojnë masa të tjera ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit ndaj Ukrainës.
Sanksionet “tashmë kanë pasur një ndikim masiv në tregjet e kapitalit dhe në monedhën”, tha ministri gjerman, Christian Lindner, shteti i të cilit e ka presidencën e G7-s.
Ministrat e G7 po takohet për të “këmbyer sugjerime për masat e mëtejme që mund të merren”, tha Lindner, duke shtuar se vendimi për propozimet e paraqitura do të merret në ditët në vijim.
Qëllimi i sanksioneve është të “izolohet Rusia politikisht, financiarisht dhe ekonomikisht”, tha Lindner.