Kosova planifikon të pranojë gazetarë ukrainas
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të ndajë fonde për pranimin e 20 gazetarë ukrainas, të cilët kanë ikur nga shteti pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
MPJD ka kërkuar nga ekzekutivi që të ndajë 150,000 euro për pranimin e 20 gazetarëve ukrainas, thuhet në një dokument të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këta gazetarë do të lirohen nga vizat për të hyrë në Kosovë.
Kabineti qeveritar pritet të votojë në mënyrë elektronike për këtë çështje gjatë së martës.
Shuma prej 150,000 eurosh do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e qirasë, zyrave, sigurimeve shëndetësore, pagesës mujore dhe shpenzimeve të transportit për gazetarët ukrainas, për një periudhë 6-mujore.
Lajmin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Rusia sulmon kullën televizive në Kiev
Forcat ruse kanë sulmuar një kullë televizive në kryeqytetin ukrainas, Kiev, potencialisht duke ndërprerë sinjalin.
Kështu tha në rrjetet sociale këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Herashchenko.
Sipas tij, puna ka nisur për të rikthyer çdo sinjal të humbur të një televizioni lokal.
Rrëfimi i nënës së ushtarit rus të kapur në Ukrainë
Lyudmila Bukhantsova ishte tmerruar kur kishte mësuar nëpërmjet mediave sociale se i biri i saj, ushtar rus, ishte kapur nga forcat ukrainase.
Klerikët rusë bëjnë thirrje për ndaljen e luftës
Në një lëvizje të pazakontë, përmes një letre të hapur, më 1 mars dhjetëra klerikë ortodoksë rusë kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të luftës në Ukrainë.
Afro 60 klerikë ortodoksë thanë se “respektojnë lirinë e çdo personi që ia ka dhënë Zoti”, duke shtuar se populli i Ukrainës “duhet të marrin vendimet vet, jo nën grykën e pushkës dhe pa presion as nga Perëndimi e as nga Lindja”.
Në letër u tha se klerikët “vajtojnë” për vuajtjet “që u janë imponuar në mënyrë të pamerituar vëllezërve dhe motrave tona në Ukrainë”.
Është e pazakontë që një numër kaq i madh i klerikëve fetarë të Kishës Ortodokse kaq hapur po sfidojnë Qeverinë e presidentit, Vladimir Putin. Në vitet e fundit, Kisha Ortodokse Ruse dhe lideri i saj, Patriarku Kirill, i cili nuk e ka nënshkruar këtë letër, kanë mbështetur plotësisht politikat e Putinit.