Rusia paralajmëron se do të godasë shënjestrat në Kiev
Ministrja ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim për banorët e Kievit, duke thënë se po përgatitet për të goditur shënjestrat në kryeqytetin ukrainas.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, zyrtarët rusë kanë thënë se forcat e tyre janë të përgatitura për të nisur “sulme shumë të sakta” kundër qendrave teknologjike të Shërbimit ukrainas të Sigurisë.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas që janë duke u shfrytëzuar nga nacionalistët për të kryer provokime kundër Rusisë, ashtu sikurse banorëve të Kievit që jetojnë afër këtyre zonave, që të largohen nga shtëpitë e tyre”, është thënë në deklaratë.
Zyrtarët kanë pretenduar se sulmet janë duke u kryer për të “parandaluar sulmet kundër Rusisë”.
Maqedonia e Veriut nis zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë
Maqedonia e Veriut ka nisur të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë prej 1 marsit, duke përfshirë mbylljen e hapësirës ajrore për të gjitha fluturimet nga Rusia, ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Një vendim tjetër është ai i dërgimit të ndihmës ushtarake dhe asaj humanitare.
Qeveria u ka bërë thirrje edhe kompanive private që të përfshihen në dërgimin e ndihmave ndërsa operatorëve kabllorë u ka rekomanduar që të ndalojnë transmetimin e të gjitha mediave ruse në programet e tyre, si masë për t’u përballur me dezinformatat dhe propagandën ruse lidhur me agresionin në Ukrainë.
Maqedonia e Veriut ka ftuar shtetasit e saj që të largohen nga Ukraina ku besohet se qëndrojnë rreth 50 persona.
Një thirrje të ngjashme ka bërë edhe për shtetasit që jetojnë në Rusi.
Greqia bën thirrje për mbështetjen e refugjatëve ukrainas
Greqia, që ka adoptuar politika të ashpra kundër migrantëve, të martën bëri thirrje për të ndihmuar refugjatët ukrainas pasi më shumë se 1,000 persona arritën nga Ukraina, shtet që po përballet me pushtimin rus.
“Ne jemi të gatshëm të mirëpresim refugjatët nga Ukraina, sikurse e gjithë Evropa, dhe u bëjmë thirrje të gjitha organizatave joqeveritare që mbështesin refugjatët... të ndërmarrin hapa për t’i ndihmuar ata”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një debati parlamentar lidhur me krizën në Ukrainë.
Mitosatkis tha të martën se presidenti rus, Vladimir Putin, është “një autokrat që dëshiron të rivizatojë vetë kufijtë”.
Media shtetërore kineze: Pekinit “i vjen keq” për konfliktin Rusi-Ukrainë
Ministri i Jashtëm kinez ka biseduar të martën me homologun e tij ukrainas dhe ka bërë thirrje për zgjidhjen e krizës përmes negociatave, raportoi media shtetërore kineze.
Ky njoftim vjen teksa Pekin është vendosur në një pozicion të vështirë diplomatik, pasi aleatja e tij e ngushtë, Moska nisi pushtimin e Ukrainës.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i ka thënë homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba se Pekinit “i vjen shumë keq për shpërthimin e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë dhe po i kushton shumë vëmendje dëmit që po përjetojnë civilët”, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV.
Sipas medias shtetërore kineze, Wang u bëri thirrje të dy shteteve që të “gjejnë mënyrë që ta zgjidhin këtë çështje përmes negociatave”.