Skena emocionale në seancën e Parlamentit Evropian
Të martën në seancën e Parlamentit Evropian për luftën në Ukrainë, janë parë disa skena emocionale në hapje.
Disa ligjvënës kanë veshur bluza në mbështetje të Ukrainës.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Mesola, ka falënderuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky që i është bashkuar takimit përmes video-lidhjes.
Mesola ka thënë se Parlamenti mirëpret aplikacionin e Ukrainës për t’u bërë pjesë anëtare e Bashkimit Evropian dhe do të punojë në jetësimin e kësaj çështjeje.
Zelensky, BE-së: Dëshmojeni që jeni me ne
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dëshmojë se është në anën e Ukrainës, teksa ky shtet lufton me Rusinë.
Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas kërkesës zyrtare që Ukraina t’i bashkohet bllokut evropian.
“Bashkimi Evropian do të jetë shumë i fuqishëm me ne, kjo është e sigurt. Pa ju, Ukraina do të jetë e vetme”, ka thënë Zelensky para Parlamentit Evropian përmes video-lidhjes.
“Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë ndaj vdekjes dhe drita do të fitojë ndaj errësirës. Lavdi Ukrainës”, ka thënë ai.
Zelensky ka thënë se ajo çfarë po ndodh në shtetin e tij është tragjedi dhe se ukrainasit janë duke luftuar për tokën e tyre, lirinë dhe jetët.
“Askush nuk do të na thyejë, sepse ne jemi ukrainas".
Presidenti ukrainas ka thënë se Rusia ka shënjestruar edhe fëmijë dhe 16 kanë vdekur vetëm një ditë më parë.
Shërbimi i emergjencës: Të paktën 10 të vrarë në sulmet në Harkiv
Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe 20 janë plagosur, si pasojë e sulmeve në qendër të qytetit Harkiv, kanë raportuar mediat.
Dhjetëra tjerë besohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Medvedev i kundërpërgjigjet Francës për “luftë ekonomike” kundër Rusisë
Zyrtari i lartë i sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev u është përgjigjur të martën komenteve të ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, i cili është zotuar për nisje të luftës ekonomike dhe financiare kundër Rusisë.
“Sot, një ministër francez ka thënë se do të shpallin luftë ekonomike ndaj Rusisë. Kujdes gjuhën ti zotëri! Dhe mos harro që në historinë njerëzore, luftërat ekonomike shpesh janë kthyer në luftëra të vërteta”, ka thënë Medvedev, ish-president rus, përmes një postimi në Twitter.
Më herët gjatë ditës së martë, Le Maire i ka thënë radios France Info se “ne do krijojmë luftë ekonomike dhe financiare kundër Rusisë”, për shkak të pushtimit të Ukrainës.