Aktakuzë për rastin e Oliver Ivanoviqit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, kundër gjashtë personave për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Sipas prokurorisë aktakuza është ngritur kundër “të pandehurit N.S, M.R dhe R.B, të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R, Z.V dhe Zh.B, të cilët gjenden në arrati, ndaj të cilëve gjykata kompetente ka lëshuar urdhërarrest dhe letërreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale”.
Prokuria ka thënë se secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij.